Partneriteti në pikëpyetje? Brenda ditës, Amerika lëshon dy paralajmërime ndaj Qeverisë Kurti - NACIONALE

Partneriteti në pikëpyetje? Brenda ditës, Amerika lëshon dy paralajmërime ndaj Qeverisë Kurti

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Brenda ditës, Shtetet e Bashkuara e Amerikës kanë lëshuar dy deklarata të rëndësishme në lidhje me Kosovën. Që në mëngjes me kohën e Kosovës, Gabriel Escobar, zyrtar i lartë i ShBA-së, theksoi se secila lëvizje e njënashme “lë pasoja”. Ndërsa një tjetër zyrtar amerikan, James O’Brien, ishte edhe më i drejtpërdrejtë. Çka po thonë amerikanët?

Gabriel Escobar, zëvendësndihmës asistenti i Sekretarit amerikan të Shtetit, dje e komentoi vendimin për ndalimin e dinarit. Duke folur në parim, Escobar vlerësoi se “veprimet e njëanshme" në raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të prodhojnë pasoja. Tutje, ai kërkoi rikthim në dialog.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të fascilituar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”, tha dje Escobar në një prononcim për agjencionin serb të lajmeve “Tanjug”.

Ndërsa James O’brien, nihmës-sekretar amerikan i Shtetit, e dha një intervistë relativisht të gjatë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për shqetësimet e ShBA-së në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit.

Në fakt, O’brien ka folur tepër seriozisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke dërguar dy paralajmërime në adresë të Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Gjuha e përzgjedhur nga O’Brien për të kritikuar Qeverinë Kurti ishte e paprecedentë në raportet mes Kosovës dhe ShBA-së.

“Paaftësi qeverisjeje” – ishte togfjalëshi përmes sëcilit O’Brien e komentoi vendimin për ndalimin e dinarit serb.

“Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.” – deklaroi mbrëmë O’Brien.

Më vonë, O’Brien deklaroi një fjali, që lë shije të hidhur për situatën kritike të raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së. Më saktë, deklarata e O’Brien është qëndrim që vë në pikëpyetje partneritetin mes dy vendeve.

“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere.” – tha ai.

O’Brien u pyet edhe nëse ShBA-ja po mendon për sanksione ndaj Kosovës.

“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”. – tha ai.

Në lidhje me kritikat e ShBA-së, posaçërisht të O'Brienit, kanë reaguar opozita, por edhe analistët politikë.

Lajme të ngjashme