Partneriteti i “zahmetshëm” ndërmjet Kurtit dhe Escobar-it
Instinkti rëndom kuptohet si një mënyrë e sjelljes, të menduarit dhe të ndjerit që nuk është e mësuar nga përvoja, por që është e natyrshme, e përbrendësishme dhe që buron vetiu. E saktësisht këtë “instinkt” ia vuri në dyshim Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, emisari amerikan, Gabriel Escobar. Ky i fundit qe shprehur se është i habitur me kryeministrin kosovar se si “nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe bashkërendimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Disa ditë më vonë, megjithatë, tha se “është i zahmetshëm në raste” por gjithsesi se partner i ShBA’së. Kjo u lexua dhe tingëlloi si "zbutje", por a është?
Asnjëherë më parë s’kishte ngjarë të kishte betejë dhe fërkime verbale të kësaj natyre ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës. Një mosdëgjim dhe “flakje tutje” e kërkesave amerikane në lidhje me metodën e funksionimit të kryetarëve (me ‘k’ të vogël) do të prodhonte një eksplozion në publik mes dy kryeqyteteve. ShBA i quajti “masa të dhunshme” instalimet me forcë të kryetarëve si dhe përzgjodhi në emër të përvetshëm Albin Kurtin si përgjegjës parësor për “ngritjen e ashpër të tensioneve” në veri; për çka ky i fundit do t’ia vinte në pikëpyetje shëndoshësinë e gjykimit, përvojës dhe të kuptuarit, duke e quajtur “naiv dhe jo fer” në një media botërore si “The Guardian”.
Çfarë pasoi më pastaj, ishte një mbërthim i plotë brenda dhe shpërthim i plotë jashtë – diskursiv dhe diplomatik.
Para mëse një jave të dy – Kurti dhe Escobari – ishin në një linjë në emisionin e mëngjesit në radio të BBC World Service, por nuk bashkëbiseduan. Dhanë tablot e tyre për ngjarjet në veri – tablo krejtësisht të kundërta.
“Përpjekjet tona për t’u bashkërenduar me Qeverinë e Kosovës u flakën tutje (Rebuffed)”, i tha Gabriel Escobar BBC-së, ku tregoi se “është për të ardhur keq” që pala kosovare “nuk dëgjoi” këshillat dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
Escobar, u shpreh se, “e kemi sinjalizuar Albin Kurtin” paraprakisht në atë se çfarë i kërkon ShBA-ja: “Të tërheq kryetarët nga ato ndërtesa komunale; të heq policinë kosovare nga ndërtesat komunale; e më pastaj urgjentisht, urgjenisht, të niset puna drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.
Por, Kurti, i cili qëndronte në linjë dhe dëgjonte diplomatin amerikan kah artikulonte kërkesat amerikane, pati përgjigje për këtë, përkatësisht duke mos pasur përgjigje.
“Nëse kryetarët s’janë brenda aty, kush duhet të jetë? Dhe, nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët, kujt t’i shërbejnë? Kryetarët janë në zyrat e tyre dhe kështu duhet të jetë dhe të vazhdojë të jetë”, u kundërpërgjigj Kurti në pyetjen e parë të intervistuesit i cili bisedën e nisi me përgjigjen e fundit të Escobar-it.
Ky i fundit tensionet në veri, në rend të parë ia faturoi Kosovës në insistimin me doemos “për diçka simbolike” të instalonte tre kryetarët “që Kurti na kishte garantuar se nuk do të ushtrojnë pushtete më shumë se administrative...sa për të kryer shërbime bazike komunale”.
Qysh në rend të parë, u shpreh diplomati, “nuk pati nevojë të përnjëmendtë për ta që të hynin në ato ndërtesa; nuk kanë vlerë të përnjëmendtë si karriga të ushtrimit të pushtetit”.
Ditë më pas, Escobar udhëtoi në Prishtinë. Vlerësimet që i bëri para gazetarëve, ishin të padëgjuara në historinë e marrëdhënieve Kosovë-Amerikë.
Escobar e shprehu një “dhimbje” që ai tha se përjeton kur dëgjon diskursin qeveritar se çfarë po bën ShBA është në favor të Serbisë. Si ka mundësi të mendohet një gjë e tillë, përkthehej pyetja e tij, teksa numëroi të gjitha mbështetjet ndaj Kosovës që ka bërë Uashingtoni e që janë krejtësisht të kundërta me qëndrimet serbe.
“(...prandaj...) kur qeverisë i kërkuam të mendojnë se si do të shkonin para dhe u dhamë disa sugjerime konkrete, ne u çuditëm se si ata mund të mendojnë që disi ne qenkeni armiku”, vazhdonte ai, teksa vlerësonte se “po merren vendime pavarësisht partneritetit tonë dhe kjo neve na dërgon sinjal, ne s’mund të mos e pranojnë veçse si sinjal”.
Andaj, këtu Escobar kishte mprehur tonet se “nuk do të thotë me doemos....të kordinohemi....me një indivi i cili nuk ka instinkt për bashkëpunim dhe bashkërendim”.
“Shihni këtu, një gjë po ua them: s’është këtu (dëmi vetëm me) me ShBA’në, por me tërë komunitetint Trans-Atlantik; pra, nuk është me neve, jo vetëm 27 shtete të BE’së, ShBA’në ose MB’në, ne i shohim gjërat njësoj. Po vjen kjo prej diku tjetër. Dhe, po, mund të ketë ndikim afatgjatë”.
Ndërsa sa i përket Kurtit (per se) dhe Zëvëndesit të tij (Bislimit), Esocbar ishte edhe më i habitur se çfarë bëjnë ata dy: Krjet çfarë ata duan të flasin është Serbia.
Po qe Kurti nuk dëshiron të ndjek kursin e aleatëve, Escobar kishte shumëçka për të thënë: dërgohet sinjal i fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne, mendoj se kjo do të ishte fatkeqe, dhe meqë jemi këtu, jo për Kosovën, por për Kryeministrin.
Një javë më vonë, Escobar e “relakson” gjuhën
Nuk dihet në ka ndryshuar gjë në qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, karshi kërkesave amerikane, por të thënat e Escobar-it, së paku në intervistën e tij të fundit dhënë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ishin bukur më të buta.
“Është partner i zahmetshëm nganjëherë, por gjithsesi se partner”. Kështu iu përgjigj pyetjes së Institutit e cila ia shtroi dyshimin e deklaruar në VoA të Ambasadorit të ShBA’së në Beograd, Christopher Hill, se Uashingtoni ka “probleme thelbësore” me Kurtin dhe se po provohet të kuptohet “nëse Kurti mund të llogaritet partner” i ShBA-së. Escobar bëri një kthesë të madhe në vlerësim dhe iu shmang vlerësimit të rreptë të sipërpërmendur.
“Më duhet këtë ta bëj të qartë – zoti Kurti është partner i yni. Nganjëherë është partner i zahmetshëm, por gjithsesi se partner. Kosova është partneri i ynë. Serbia është partneri ynë. Andaj, edhe në të ardhmen, ne duam të përdorim marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, dhe marrëdhëniet në përmirësim që kemi me Serbinë, për të gjetur mënyra ndërsjelltazi të pranueshme dhe përfitiuese në mënyrë që të dyja të mund të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Por, jo vetëm kaq, por që të dyja të hapin dyert e intregrimit për tërë rajonin. Kështu që ne duam të përdorim marrëdhëniet tona të mira për të ndihmuar në ndërmjetësim në të ardhmen”, ka thënë Gabriel Escobar këtë të diele.
Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sërish Escobar, qëndroi më i lehtë në vlerësime. Sa për krizat në veri, ai tha se “ishin krejtësisht të parashikueshme dhe të evitueshme”.
“Për Serbinë kjo do të thotë që t’i jep fund bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare; ndërsa për Kosovën që të nis procesin e zbatimit të Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe”, u shpreh ai./Nacionale/