Partitë shqiptare në Ulqin, bashkë kundër Abazoviqit – kush do të jetë kryetari i ri? - NACIONALE

Partitë shqiptare në Ulqin, bashkë kundër Abazoviqit – kush do të jetë kryetari i ri?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ulqini nuk do të udhëhiqet nga partia qytetare e Dritan Abazoviqit, mandatarit për formimin e Qeverisë së Malit të Zi. Për këtë mandat, në krye të kësaj komune do të jenë partitë shqiptare, ku Mehmet Zenka, kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, pritet të jetë kryetar.

Abazoviq, menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, shpalli fitoren e partisë së tij në Ulqin, duke thënë se bartësi i listës “Fillimi i Ri”, Omer Bajraktari, do të udhëheqë për katër vitet e ardhshme.

“Ulqini ka një kryetar të ri dhe quhet Omer Bajraktari. Siç e njoftuam, lista jonë është më shumë se dy herë më e fortë se vendi i dytë.”, kishte deklaruar ai.

Por një problem jo i vogël ia ka ndërprerë ambicien Abazoviqit.

Shqiptarët bashkë, kundër Abazoviqit

Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka gjithsej 33 këshilltarë dhe për formimin e pushtetit në qeverisjen lokale, nevojitet shumica absolute prej 17 këshilltarësh.

Rrjedhimisht, kandidati i Abazoviqit, Omer Bajraktari, e ka të pamundur të drejtojë Ulqinin pa ndihmën e një partie tjetër, ndonëse në koalicion parazgjedhor bashkë ishin pesë sosh.

Në anën tjetër, është blloku i partive shqiptare, disa prej të cilave lidhën edhe koalicion parazgjedhor.

Ato që garuan në zgjedhje vetëm, janë duke e konsideruar mundësinë që të bashkohen në koalicion paszgjedhor. Kjo do të çonte në formimin e qeverisë lokale pa partinë a partnerët e Abazoviqit.

Në një prenoncim ekskluziv për gazetën Nacionale, nënkryetarja e Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Hadixhe Gjoni, ka theksuar rëndësinë e udhëheqjes së Ulqinit nga partitë shqiptare.

Ndër të tjera, ajo është shprehur optimiste për katërvjeçarin e ardhshëm të kësaj komune.

“Unë jam e bindur se Ulqinin, do të ishte e udhës që ta drejtojnë subjektet shqiptare, pra një kandidat i subjekteve shqiptare, cilatdo qofshin ato. Në rastin konkret, kandidati nga radhët e Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Unë mund të deklaroj me krenari se ne nuk kemi lënë pas vetes asnjë gjurmë negative e cila do të kishte dëmtuar ndonjë element në Komunën e Ulqinit”, ka thënë Gjoni.

Burime nga partitë nacionale shqiptare në Ulqin, për gazetën Nacionale, kanë thënë se pas rikonfrimimit të përkrahjes që kanë marrë në vendvotimin nr.5, janë duke e shqyrtuar mundësinë që të lidhin koalicion paszgjedhor në mes vete, për të udhëhequr së bashku komunën gjatë mandatit të ardhshëm.

Në rast se partitë shqiptare bashkohen me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe me Partinë Boshnjake, do të formohet pushteti i ri në Komunën e Ulqinit, meqë sigurohet numri i mjaftueshëm për të plotësuar këtë kriter.

Siç kupton Nacionale, kjo ka gjasa reale të ndodhë, meqë partitë shqiptare janë në fazë bisedimesh për të rënë dakord që të bashkohen.

Procesi zgjedhor dhe entuziazmi paszgjedhor në Ulqin

Zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Ulqinit kanë rreth dy javë që kanë përfunduar.

Ashtu siç kishte raportuar Nacionale, në këto zgjedhje kanë garuar gjithsej pesë lista zgjedhore.

Dritan Abazoviq për herë të parë ka marrë vëmendje të tillë në zgjedhjet lokale të Ulqinit.

Pasi rezultatet u shpallën, mediet raportuan për një fitore absolute të Abazoviqit në Komunën e Ulqinit, që do t’i mundësojë udhëheqjen e kësaj komune.

Kjo sepse edhe vetë Abazoviqi e deklaroi këtë, duke thënë se kryetari i ri i Ulqinit do të jetë bartësi i listës nga partia e tij.

Në esencë, Abazoviq e dinte mirë që në zgjedhjet lokale nuk gëzoi një rezultat të kënaqshëm.

I pakënaqur me përkrahjen që mori, koalicioni “Fillimi i Ri” kërkoi rivotim në vendvotimin nr. 5 të Komunës së Ulqinit, nën arsyetimin se ka pasur parregullsi gjatë procesit të votimit.

Por asgjë e re nuk doli pas rivotimit.

Rivotimi në qendrën nr.5, që ndodhi para tri ditësh, nxori fituesit e njëjtë.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi korrën përsëri rezultat të kënaqshëm.

Nga pesë listat që kanë garuar, rezultatet nga numërimi i votave kanë qenë si vijon:

Unioni Demokratik i Shqiptarëve në koalicion me Lidhjen Demokratike në Mal të Zi kanë marrë gjashtë (6) këshilltarë.

Koalicioni “Fillimi i Ri”, pjesë e të cilit ishin Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA), Alternativa Shqiptare, Partia Demokratike, Partia Socialdemokrate dhe Socialdemokratët e Malit të Zi, mori 14 këshilltarë.

Forca e Re Demokratike, e cila garoi e vetme, mori pesë (5) këshilltarë.

Partia Demokratike e Socialistëve në koalicion me Partinë Boshnjake morën gjashtë (6) këshilltarë, ndërkaq “Demokratët” kanë marrë dy (2) këshilltarë.

/NACIONALE/

Lajme të ngjashme