Partitë politike pajtohen që Komisioni për Verifikimin e Mandateve të hartojë një raport të ri
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë me dije se në takimin konsultativ që ka pasur sot me partitë polikë janë pajtuar që Komisioni për Verifikimin e Mandateve të hartojë një raport të ri.
Pas fillimit të seancës se sotme, ai ka propozuar që deputetët të deklarohen më votë, nëse janë që raportin të përpilojë njëjti komision, apo të formohet një komisioni i ri.
120 deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar që raporti i ri të hartohet nga komisioni që është formuar më 15 prill.
“Konstatojmë se 120 deputetë janë për komisionin e njëjtë. Lus anëtarët e komisionit të mblidhen për 30 minuta dhe të përpilojnë raportin e ri të Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve”, ka thënë ai.
Më pas, komisioni është mbledhur dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pritje të raportit të ri.
Miratimi i Raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve është pika e parë e agjendës së seancës konstituive të legjislaturës së nëntë.
Në piken e dytë, parashihet betimit i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurse, më pas parashihet zgjedhje e kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.
Vetëm nëse plotësohet këto pika, seanca konstituive mund të konsiderohet si e përfunduar.
Seancës konstituive të legjislaturës së nëntë punimet i ka filluar të martën më 15 prill.
Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, LVV-ja ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20, kurse koalicioni AAK-Nisma 8 deputetë.