Partitë opozitare prezantojnë “përforcimet” e reja, heshtje në taborin e VV-së
Afrimi i afatit për t`i dorëzuar listave të kandidatëve për deputet në KQZ ka nxitur partitë politike opozitare t`i prezantojnë emrat e zyrtarëve të rijnë që do të garojnë në këto lista.
Në javët e fundit, më aktive në këtë drejtim kanë qenë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Brenda pak ditëve, këto dy parti kanë prezantuar disa anëtarë të rinj. Paraprakisht edhe LDK-ja kishte prezantuar disa “përforcime”.
Deri me tani, vetëm partia në pushtet nuk ka prezantuar asnjë prurje të re në parti.
Partia më e madhe opozitare, PDK, sot ka prezantuar anëtarin më të ri të kësaj partie.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mirëpritur në parti të birin e Jakup Krasniqit, Altinin.
Ai ka bërë me dije se Krasniqi do të jetë edhe kandidat për deputet në listën e PDK-së.
Krasniqi është shprehur i lumtur që PDK-së po i bashkohet një zë i ri.
“Altini përfaqëson premtimin e një gjenerate të re, të gatshme për të çuar përpara vlerat tona të përbashkëta. Me energjinë, vizionin dhe përkushtimin e tij, Altini po i hyn politikës për të nderuar trashëgiminë e babait të tij dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar dhe më të mirë. Altin, mirë se erdhe në PDK. Me ty si deputet, Kosova mundet ma mirë!”, ka thënë kreu i PDK-së.
Ndërkaq, Altin Krasniqi është shprehur se duke qenë djali i një personaliteti si Jakup Krasniqi që ia kushtoi jetën e tij lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ka vendosur të marrë përgjegjësi për të punuar për të ardhmen e Kosovës.
“I frymëzuar nga trashëgimia e babit, kam vendosur edhe unë të bëj hapin tim dhe t’i bashkohem Partisë Demokratike të Kosovës si kandidat për deputet. Ka ardhur koha që gjenerata jonë të marrë përgjegjësi, që duke nderuar sakrificat e së kaluarës, të punojmë shumë për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë, pa dallim. Unë besoj se Kosova ka më shumë potencial sesa kaq dhe padyshim që mundet ma mirë. Unë jam Altin Krasniqi dhe jam gati të shërbej, ashtu siç ka bërë babai gjithmonë: me nder dhe përgjegjësi!”, ka thënë ai.
Në fillim të javës, i pari i PDK-së ka prezantuar edhe ish-gazetarin Drin Ejupi, si prurje të re.
Brenda javës së fundit, edhe AAK-ja ka prezantuar “përforcimet” e reja.
Të dielën, lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur në AAK deputetin e pavarur Haki Abazi.
“Në shumë etapa të rrugëtimit tonë, e ka bërë pjesën e vet të çmuar. Edhe unë jam dëshmitar i këtij angazhimi të Hakiut, të cilin e njoh që nga paslufta për kontributin e tij në mbështetje të shoqërisë civile e demokratizimit të vendit, e proceseve demokratike”, ka thënë Haradinaj, në një konferencë për media.
Kurse, ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka treguar pse ka vendosur të i bashkohet AAK-së.
“Mendoj që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vizionin më të qartë, planin më të qartë, hapat e sigurt të depërtimit deri te anëtarësimi në NATO”, është shprehur Abazi.
Javën e kaluar, kësaj partie i është bashkuar edhe vajza e gjeneralit të UÇK-së, Fadil Kodra, ish-bashkëluftëtar i Adem Jasharit.
Gjatë një konference për medie, Haradinaj është shprehur i gëzuar për një përforcim të tillë.
“Jam i gëzuar t’ju njoftoj se Listës së AAK-së për zgjedhjet parlamentare, sot i bashkohet edhe vajza e kësaj familjeje emblematike, Teuta Kodra. Ajo bëhet pjesë e Listë s sonë PËR NJË KOSOVË FITUESE, dhe bashkë me neve për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve, edhe të heronjve të familjes Kodra”, është shprehur Haradinaj.
Kohë më parë, edhe kryetrari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për anëtarësimin në LDK të deputetes Drita Millaku.
LDK-së i është bashkuar edhe babai i futbollisti të Kosovës, Edon Zhegrova, Lulzim Zhegrova.
Gjithashtu, pjesë e partisë së Abdixhikut është bërë edhe Lumbardh Salihu, fitues i Big Brother Kosova 2.
I pari i LDK-së ka thënë se të tre këta emra do të jenë kandidat të LDK-së për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet në KQZ-së është 11 dhjetori. Zgjedhjet e reja nacionale do të mbahen më 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.