Çka ndodh nëse ulet pragu zgjedhor?
Partitë e vogla kanë kërkuar që reforma zgjedhore të përmbajë edhe uljen e pragut zgjedhor. Përfaqësuesit e këtyre partive politike kanë bërë me dije se kjo do ishte në të mirë të demokracisë. Ndërsa, njohësit e proceseve zgjedhore kanë treguar për efektet që do të shkaktonte ulja e pragut zgjedhor, i cili aktualisht është 5 për qind.
Pajtimi i partive parlamentare për rifillimin e reformës zgjedhore ka nxitur reagimin e partive të vogla të cilat nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësuesit e këtyre partive kanë kërkuar që reforma të përfshijë edhe uljen e pragut zgjedhor.
Njohësit e proceseve zgjedhore kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me mundësinë e uljes së këtij pragu.
Hulumtuesja nga organizata D4D, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për gazetën Nacionale se ulja e pragut do të mundësonte përfaqësim më proporcional në Kuvend.
“Ulja e pragut nën nivelin aktual prej 5%, jep më shumë mundësi për paritë e vogla të përfaqësohen në Kuvend. Kështu, do të kemi përfaqësim më proporcional dhe japim mundësi për më shumë alternativa politike”, ka thënë Krasniqi.
Ajo është shprehur kundër çdo mundësie të rritjes së këtij pragut.
“Përkundër që Kosova ka një sistem zgjedhor proporcional, që aplikon vendet e garantuara për komunitetet joshumicë, pastaj ka kuotë gjinore në Kuvend, përfaqësimi nuk është proporcional me vullnetin e qytetarëve të shprehur në ditën e zgjedhjeve. Andaj, rritja e pragut vetëm sa do të ndikonte më shumë në dëm të proporcionalitetit. Kështu, ne kemi propozuar që pragu zgjedhor të ulet në 3% në nivel vendi, dhe të krijohen zona zgjedhore në të cilat do të kishte prag natyral, në varësi të madhësisë së zonës”, ka deklaruar Krasniqi.
Edhe partitë e vogla që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend, mendojnë se ulja e pragut zgjedhor do të ishte në të mirë të demokracisë.
Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar për gazetën Nacionale se kjo parti ende nuk ka një qëndrim se sa duhet të jetë pragu zgjedhor.
Sipas tij, reforma zgjedhore edhe në këtë aspekt duhet të jetë në funksion të demokracisë.
“Reforma zgjedhore është temë e gjerë dhe me rëndësi. Për këtë duhet diskutim sa më gjithëpërfshirës në shoqërinë tonë. Po ashtu, këtë temë do ta diskutojmë edhe brenda organeve të partisë dhe të dalim me qëndrime. Ndryshimet në këtë ligj duhet të ndodhin dhe ato duhet jenë në funksion të avancimit sa më të madh të demokracisë”, ka thënë Nushi.
Ditë më parë, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar që pragu prej 5 për qind të ulet në 2 ose 3 për qind.
Sipas tij, nëse merret për bazë numri i banorëve, Republika e Kosovës ka prag shumë të lartë zgjedhor.
“Vendet si Rusia me 20 e më shumë milionë mund të jenë me 5 për qind, sepse ka numër të madh të votuesve. Por ne jemi vend i vogël. Mendoj se ka ardhur koha të zbatojmë praktikat më të mira të vendeve demokratike, të ulet në 2 deri 3 për qind që të përfaqësojë sa më gjerësisht grupet politike dhe individët”, ka thënë Limaj në emisionin Pressing.
Efektet e uljes se pragut
Ndryshe nga partitë e vogla, disa njohës të proceseve zgjedhoje mendojnë se ulja e pragut do të këtë efekte negative.
Ish-anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën Nacionale se ulja e pragut mund të ndikojë edhe në rritje të korrupsionit.
“Është rrezik i madh që të zvogëlohet pragu, nëse flasim në kuptimin e përgjegjësisë dhe efikasitetit të qeverisë, pragu madje duhet të rritet. Qeverisja e shtetit, me subjekte që kalojnë pragun me 2% e deri me 5%, do të ishte jashtëzakonisht problematike, sepse humb përgjegjësia dhe sistemi dëmtohet nga korrupsioni, keqpërdorimi, dhe probleme tjera të mundshme”, ka deklaruar Burjani.
Sipas tij, çfarëdo zvogëlimi i pragut nga 5%, është humbje e madhe e idesë së përgjegjësisë, deri në shkatërrimin e saj.
Pragu prej 5 për qind ka bërë që disa parti politike në Kosovës të largohen përfundimisht nga jeta parlamentare. Vite me parë kjo rregull ligjore ka ndikuar në zhdukjen nga skena politike të partisë reformiste Ora, të cilën e drejtonte publicisti Veton Surroi.
Në zgjedhjet e fundit, as Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk ka arritur ta kalojë pragun dhe të bëhet pjesë e jetës parlamentare. Pikërisht frika e moskalimit të pragut ka bërë që Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt, e cila është mjaft aktive në aktivitetet opozitare, të mos marrë pjesë fare në zgjedhjet e fundit.
Pas disa takimeve, partitë politike janë pajtuar për formulën e përbashkët të komisionit për reformë zgjedhore.
Muajin e kaluar, partitë politike janë pajtuar për rifillimin reformës zgjedhore. Derisa në prani të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, përfaqësuesit e të gjitha partive kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për themelimin e Komisionit Ad-hoc për këtë reformë, ekspertët e këtij procesi e kanë vlerësuar si shumë të nevojshëm përfundimin e reformës, e cila ka nisur në vitin 2010.
Gjithashtu, krahas këtij komisioni, partitë janë pajtuar të themelohet edhe Grupi Këshillëdhënës, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës që janë marrë me reformën zgjedhore, BE-së, OSBE-së.
Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, reforma zgjedhore gjatë gjithë kohës ka qenë një prej temave më të diskutueshme politike. Për të realizuar reformën janë krijuar edhe komisione ad-hoc, por edhe është marrë përgjegjësi edhe nga Komisioni për Legjislacion, mirëpo deri tani nuk ka pasur avancim më të madh sesa miratimi në parim nga ky komision.