Partia, Dejona, Shteti: ‘Ekipi’ i përçudshëm i Kurtit në Tiranë - NACIONALE

Partia, Dejona, Shteti: ‘Ekipi’ i përçudshëm i Kurtit në Tiranë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkoi dje në Tiranë për të marrë bekimin e kryeministrit Edi Rama dhe ‘vartësve’ të tij. Por, cili ishte ekipi i tij?

Në drekën e punës me kryeministrin Rama, që pa dyshim ishte ngjarja më e rëndësishme e këtij udhëtimi dhe ndoshta qëllimi kryesor prapa saj, Kurti ishte i vetëm. Ai aty mori ‘bekimin’ e Ramës për koncesione shtesë (hapa të mëtejshëm, siç u shpreh kryeministri shqiptar) në lidhje me Asociacionin, Kishën Ortodokse Serbe etj.

Por, në takimin me kryekuvendaren Lindita Nikolla ndryshonte puna.

Mihali, Carrabregu

Nga fotografia e ndarë nga takimi me znj. Nikolla, vërehen edhe dy figura që ndoshta s’e kishin vendin aty.

Krahas ekipit të tij formal, që bën pjesë në kabinetin e kryeminsitrit, Kurti me vete kishte marrë edhe aktivisten Dejona Mihali dhe studiuesin Gent Carrabregu që pak ditë më parë në selinë e VV-së i kishte mbajtur një ligjëratë mbi Kantin.

Fatkeqësisht, nuk ka një shpjegim nga Qeveria e Kosovës për arsyet që këto dy figura ishin pjesë e vizitës zyrtare të Kurtit në Republikën e Shqipërisë.

Ku ishte Feraj?

Hysamedin Feraj është këshilltar i kryeministrit Kurti për mbikëqyrjen e marrëveshjeve të Kosovës me Shqipërinë, por çuditërisht ai nuk dukej se ishte i pranishëm në takim. Aktivisti i VV-së që mendon se “bashkimi kombëtar duhet bërë sot” është shquar për kritika të ashpra ndaj pushtetit të Ramës në vazhdimësi.

E përveç Ferajt, në atë ‘ekip’ nuk u dukën as Boiken Abazi – që para dy vitesh synonte të bëhej deputet opozitar – e Elvis Hoxha.

Pse Mihali e Carrabregu aty?

Roli i Dejona Mihalit në VV dhe fuqia e saj e madhe në këtë parti është bërë e ditur gjithnjë e më shumë në muajt e fundit. Por, duket se ajo është e fuqishme edhe në Qeverinë e Kosovës nëse marrim për bazë praninë e saj në këtë vizitë. Për Mihalin ishte spekuluar se kishte pasur dorë edhe në Ligjin e Pagave dhe Ligjin për Zyrtarë Publikë në Kosovë, përkundër që nuk mban kurrfarë pozite zyrtare.

Në anën tjetër, Gent Carrabregu po ashtu nuk dihet të ketë ndonjë pozicion zyrtar në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, dihej se ai ishte i afërt me partinë e Kurtit.

Qeveria e Kosovës deri në këtë moment nuk ka sqaruar arsyet prapa këtyre dy pranive në Tiranë.

Lajme të ngjashme