Parregullsitë në Mitrovicë: PDK dorëzon ankesën zyrtare në PZAP, kërkon rivotim
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot, brenda afatit ligjor, ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës – në dritën e dokumentimeve masive për parregullsi në këtë komunë.
Në njoftimin e lëshuar për media, PDK thekson se ky veprim është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor, pas dyshimeve serioze për parregullsi gjatë numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut.
Njoftimi nga Partia Demokratike e Kosovës:
“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar, brenda afatit ligjor, ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ky veprim është bërë në përputhje me ligjin dhe me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe votës së lirë të qytetarëve të Mitrovicës.
PDK siguron qytetarët e Kosovës, e veçanërisht ata të Mitrovicës, se do të ndjekë me përgjegjësi të gjitha procedurat ligjore për të garantuar që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin real të qytetarëve.
Ne besojmë se vetëm rivotimi i bën drejtësi procesit zgjedhor dhe vullnetit qytetar.
Vota është e shenjtë. Demokracia fillon e mbaron me ruajtjen dhe respektimin e saj.”