Paralajmërimi i Stanos: Dështimi i Kosovës dhe Serbisë për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja
Zëdhenësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka folur për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri nga institucionet e Kosovës, duke thënë se është një tjetër veprim i njëanshëm.
Stano në konferencë për media tha se këto veprime janë të padobishme dhe se dështimi nga Kosova dhe Serbia për t’i ulur tensionet në atë pjesë do të këtë pasoja.
“Ka çështje më të vjetra në tryezë që duhen shqyrtuar. Ne e konsiderojmë këtë shumë të padobishëm dhe hap tjetër të njëanshëm e të pakoordinuar që ka kapacitet të rrisë tensionet dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, ka thënë Stano.
Ai nuk dha asnjë datë për ndonjë takim mes dy shteteve por tha se e kanë për qellim që të kenë takim sa më parë.
“Takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar”, ka thënë Stano.