Papunësia 4%, propaganda e radhës e pushtetit: Pse VV-ja po manipulon me shifra ekonomike? - NACIONALE

Papunësia 4%, propaganda e radhës e pushtetit: Pse VV-ja po manipulon me shifra ekonomike?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pretendimet e partisë në pushtet se papunësia në Kosovë është vetëm 4 për qind po konsiderohet si propaganda e motmotit. Nxjerrja e Kosovës si vendi më papunësinë më të ulet në rajon ka nxitur reagime të mëdha në vend.

Opozita dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se pretendimet e tilla janë të pavërteta.

Sipas tyre, partia në pushtet me pretendime të tilla po i fyen qytetarët e Kosovës.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka rrëzuar shifrën e partisë në pushtet.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka treguar se pse kjo shifër nuk është e vërtetë.

“Pra për institucionet tona këta 694 413 ‘qytetarë janë të papunë sepse nuk dojnë me punu’, prej tyre burra janë 243 270, ndërsa gra janë 451 143”, është shprehur Bajrami.

Me tej, ajo i ka përmendur edhe shifrat e ASK-së.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2023 (e fundit e publikuar nga ASK), papunësia në Kosovë është 10.9%, por në këtë papunësi nuk llogaritën si të papunë plot 694 413 qytetarë të cilët janë jo aktiv në tregun e punës, vetëm e vetëm për faktin se këta nuk lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punësimit, pranë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, është shprehur ai.

Kurse, deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se partia në pushet po manipulon me shifra për shkak të panikut.

Një parti që është në pushtet e që këtë mandat e ka fitu me 51%, ekziston vetëm një arsye pse manipulon me shifra e me propagandë të pabazuar. Është në panik. Përtej çfarë deklaron UBO në publik, që tashmë fatkeqësisht është bërë nëndegë e Vetëvendosjes, unë jam i bindur se realitetin e vërtetë nga tereni ia tregon z.Kurtit si kryeministër dhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe nga ai informacion i saktë në teren që është duke humbë vota vazhdimisht, nga dita në ditë me këto lëvizje, unë jam i bindur se nga paniku nuk po dijnë çka me ba tjetër, hajde dalim këtu një status edhe tentojmë me mashtru popullatën se papunësia është 4%”, ka thënë Mustafa në emisionin “Pressing” të T7.

Edhe shoqëria civile është shokuar më pretendimet e VV-së për nivelin e papunësisë në Kosovë.

Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka thënë se ky manipulim është i qëllimshëm.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këtë mënyrë pushteti po i konsideron qytetarët e Kosovës si analfabet.

Me thanë që Kosova e ka nivelin ma të ulët të papunësisë në rajon, veç pse në mesin e 1 mijë të anketuarve për Barometrin Ballkanik (2024), sipas mostrës rastësore – 4 kanë deklaruar se janë të papunë, s’është thjesht manipulim, e aq më pak huqje. Është tregues që qytetarët shihen si një publik injorant që s’e ka idenë as për çështjet më bazike”, ka shkruar ai, duke përmendur të dhënë tjera të këtij barometri.

Përndryshe, disa nga gjetjet kryesore ekonomike (të vërtetat) të Barometrit, janë: - Veç 7% e qytetarëve mendojnë që gjendja ekonomike e Kosovës është e mirë; - 65% e qytetarëve e shohin rritjen e çmimeve/kostos së jetesës si problemin kryesor ekonomik; - Shumica e qytetarëve nuk presin që situata e tyre ekonomike të përmirësohet në 12 muajt e ardhshëm”, ka shkruar ai.

Kurse, analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se kjo tregon se zyra për informim e VV-së është shndërruar në zyre të propagandës.

Sipas tij, kjo zyre nuk po komunikon më me publikun.

Ajo zyre e komunikimit kemi folë disa herë që është me bë më shumë promovim dhe propagandë për partinë, LVV, e më pak komunikim me publikun. Edhe pse kanë citu një organizatë rajonale, nuk i bënë këto të dhëna kredibile. Qeveria dhe LVV e dijnë shumë mirë që nuk qëndrojnë të dhënat dhe që është manipulim. Por pse askush thujase nga opozita në Kosovë nuk reagoj me argumente? Por me reagime si ne kafe. Mbi të gjitha me tregu si ata kanë me i rregullu situatën shumë të rëndë në Tregun e Punës që ende askush se ka adresu deri tani. Me tregu sa është papunësi sipas të dhënave zyrtare të Republikës së Kosovës. Ose ose, me tregu rreth strukturës së Tregut të Punës. Medotologjisë që aplikohet e që i qet jashtë tregut rreth 700,000 persona në moshë pune”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme