Dalin të dhëna tjera shqetësuese për Martin Berishajn, përmendet edhe një tjetër anëtar i Vetëvendosjes
Gazeta online Paparaci ka publikuar parahyrjen e një hulumtimi që thotë se implikon zyrtarë të lartë të Kosovës me mafinë energjetike të Ballkanit. Në qendër të këtij hulumtimi, ashtu siç edhe mund të pritej, Martin Berishaj. E në periferi, edhe një emër tjetër i njohur i afërt me partinë në pushtet, Nagip Krasniqi – Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut.
Paparaci thotë se Njësia e Inteligjencës Financiare përmes raportit tregon se Martin Berishaj ka tërhequr një shumë prej 923 mijë e 700 eurove me përshkrimin “tërheqje për nevoja të biznesit Martin Berishaj”.
Gjatë ditës së djeshme, Nacionale konfirmoi se z. Berishajt i ishte ngritur kallëzimi penal për shmangie të tatimit.
Kjo konfirmohet edhe përmes këtij hulumtimi të bërë nga gazeta Paparaci.
Aty thuhet se në bazë të të dhënave nga ATK-ja, Berishaj e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës për 73 mijë euro.
Berishajt i është zbuluar edhe qarkullimi mbi dymilionësh i bërë në Mal të Zi.
“Në bazë të të gjeturave të Paparacit, nga janari i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2022, në llogaritë e MB Consulting në Mal të Zi dhe llogaritë personale të tij, janë regjistruar 2,837,921.8 euro të hyra. 2,787,298 euro ishin tërhequr nga këto xhirollogari përgjatë kësaj periudhe, bazuar në të dhënat e siguruara nga Njësia për Inteligjencë Financiare e shtetit të Malit të Zi” – shkruhet në këtë raportim.
Ndërkohë, ajo që është risi në këtë hulumtim ka të bëjë me Nagip Krasniqin, anëtarin e Vetëvendosjes që ka funksionin e Kryeshefit të KEK-ut.
“Në një raport të Hetuesisë së Policisë së Kosovës në hetimet ndaj ambasadorit Berishaj, hidhen dyshime për përfshirjen e Nagip Krasniqit në një rast korruptiv.” – shkruhet në artikull
“Kryeshefi ekzekutiv i KEK sha Nagip Krasniqi ka lidhur marrëveshje të dëmshme me KESCO sha, e cila konsiderojmë se është në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës,”- thuhet ndërkohë në raportin e hetuesisë.
Në artikullin e Paparacit shkruhet edhe për takimin e dyshimtë sekret të Nagip Krasniqit në Kroaci, për të cilin kishte raportuar gazeta Nacionale shumë muaj më parë.
Një gazetë sllovene ndërkohë disa ditë më parë ka publikuar një tjetër shkrim në të cilin përmendet edhe emri i Albin Kurtit, përveç atij të Martin Berishajt.

