Pamje tmerruese pas tërmetit në Turqi, çahet toka në një fshat të Hatay
Pas tërmetit të fuqishëm prej 7.8 ballë që goditi me qendër në Kahramanmaras, një çarje gjigande e tokës është krijuar në provincën e Hatay.
Sipas medias turke Hurriyet, kjo çarje e tokës me një thellësi prej 30 metrash dhe një gjerësi afërsisht 200 metra, është krijuar nga tërmeti në fshatin Tepehan, me banorë dëshmitarë që kanë dëgjuar një shpërthim të fortë dhe kanë parë dritë jeshile
Pamjet e kësaj çarje të madhe të tokës janë marrë nga lart me dron.
Aziz Gündüz, një nga banorët e këtij rajoni, ka thënë se: “Ishte një shpërthim i madh, nuk e pashë, por dëgjova një zë. Kur shikova në mëngjes, për fat të keq, pamë një gërmadhë të tillë nga kjo anë. Më herët ishte fushë e sheshtë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur.”

Ndërkohë, një tjetër banor vendas i quajtur Abdullah Temizkan ka thënë se: “Shpërthimi erdhi nga këtu. Ka nga ata që e kanë parë të shpërthejë. Nuk mund ta besoj. Nga këtu del tym jeshil.”
Kujtojmë se në një përditësim të fundit, autoritetet kanë njoftuar se numri i të vdekurve pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë ditën e hënë, është rritur në 23,726.