Pamje: Një turist mbijeton në Tajlandë, pasi i këputet litari gjatë kërcimit nga lartësia
Disa njerëz që u pëlqen adrenalina, tregojnë se kërcimi nga lartësia është përvojë gati si vdekja, por pak prej tyre i afrohen aq shumë asaj sa një burrë që mbijetoi, kur litari i tij u këput gjatë hedhjes nga lartësia në Tajlandë.
Pamjet e kërcimit të rrezikshëm u përhapën shumë në internet këtë javë, pasi një turist 39-vjeçar nga Hong-Kongu e bëri publik rrëfimin e tij, raporton televizioni CNN.
Turisti, i cili deshi të prezantohej vetëm me emrin Mike për t’i shmangur ngacmimet në internet, kërceu nga një lartësi sa kati i dhjetë i një ndërtese në qytezën Pattaya, përderisa ishte në pushime në janar.
Fatmirësisht, hapësira nën vendin e kërcimit ishte e mbuluar me ujë. Litari me të cilin ishte i lidhur për këmbësh turisti, u këput pak para se Mike të arrinte në pikën më të ulët të hedhjes, duke u përplasur në ujë.
“Rashë në anën time të majtë, prandaj lëndimet ishin më serioze në atë pjesë. Ishte sikur dikush të të rrihte fort keq”- tha ai për televizonin amerikan.
Dëshmitarë të këtij kërcimi ishin miqtë e tij, të cilët ishin me të në Changthai Thappraya Safari dhe në Parkun e Aventurave.
Mike tha se fillimisht shkoi në park për qitje, por e gjeti guximin për të kërcyer nga lartësia, pasi u sfidua nga shokët.
“Ishte vërtet lart, prandaj i mbylla sytë. Planifikova që t’i hapja sytë, kur të ngrihesha prapë lart. Kuptova që litari ishte këputur, kur i hapa sytë dhe isha i rrethuar me ujë”- tha ai.
Ai arriti që të notonte e të dilte në sipërfaqe, edhe pse këmbët i kishte të lidhura me litar. “Nëse personi nuk di të notojë, ai ose ajo do të jetë në telash të madh”- tha turisti.