Pamje e detaje: Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?
Me urdhër të kryeministrit Kurti, Agjencia Kadastrale e Kosovës pritet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke ia dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
Por, çfarë ka në këta 24 hektarë?
Në një artikull të Evropa e Lirë thuhet se veç tokës bujqësore e pyllit, në këtë zonë janë edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekteve të vogla përcjellëse, si dhe një tjetër objekt që përdorej për prodhimin e mjaltit.
Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit “Iliria”.
Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta.
Në skaj të hotelit “Iliria” ndodhet një kompleks tjetër hotelier.
Ndërtimi i tij nisi para luftës së viteve 1998-99, por punimet nuk u finalizuan.
Objekti i bletarisë “Apiko” është i boshatisur dhe i rrethuar me tela.
Aty ka vite që nuk ka shkelur këmbë punëtori.
Që nga viti 1999, objekti i kësaj ndërmarrjeje është nën kujdesin e trupave të misionit paqeruajtës të KFOR-it.





