Pal Lekaj kritikon kryeministrin Kurti: Ai s'e menaxhon 18% të Kosovës
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për menaximin e situatës në veri.
Lekaj në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se çështja e targave e ka sjellur vendin në këtë gjendje.
“Hapat që i ka marrë zotëri Kurti për atë territor janë kanë tërësisht të gabuara edhe pse po e them se politika e Beogradit çdoherë ka menduar të krijojë kriza që ato t’i përdorë sa i përket marrëveshjes përfundimtare dhe sidomos për asociacionin. Një çështje teknike e targave na ka pru këtu ku jemi.” – tha ai.
Ai ka thënë se Kurti nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, dhe se 18 për qind e territorit të vendit, nuk është menaxhuar, përkundër këshillave të ShBA-së.
“Vetëm ardhja e zotëri Kurti në pushtet me premtimet se nuk do të dialogojë sa i përket çështjes së veriut, por do të dialogojë me serbët lokal, qytetarët e Kosovës që ka pasur të drejtë, por po del e kundërta. Ai nuk ka dialog, nuk menaxhon një territor 18 për qind të Kosovës dhe me vendimet e tij, përkundër këshillave të ShBA-së dhe miqve tanë ndërkombëtar për targat, ne iu kemi dhënë hapësirë atyre që të veprojnë kështu. Edhe pse pretendimet e tyre çdo herë kanë qenë të politikës serbe që veriu mos të kontrollohet nga Prishtina, por nga Beogradi. Ne nuk është dashur atyre që t’iu japim këtë levë që të përdorin si monedhë për kusurit sa i përket dialogut. Kemi ardh ku kemi ardh, largim të kryetarëve, gjyqtarëve, prokurorëve, këshillave komunale. Qytetarët atje në mëshirën e zotit dhe jo atyre që duhet të kujdesen. Ju po e shihni se si Policia e Kosovës ka mbetur e ngujuar dhe s’ka ndonjë veprim.” – ka shtuar ai.
