Pak takime, libra dhuratë e ofendime, 1 vit dialog i Kurtit me Vuçiqin në Bruksel - NACIONALE

Pak takime, libra dhuratë e ofendime, 1 vit dialog i Kurtit me Vuçiqin në Bruksel

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti tashmë ka festuar një vjetorin e saj në pushtet. Gjatë 365 ditëve të kaluara, shefi i ekzekutivit udhëtoi disa herë në drejtim të Brukselit për negociuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, nuk është se pati ndonjë progres të theksuar drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare – përkundër që janë mbajtur disa takime në nivel të lartë.

Pak takime, shumë përplasje

I pari takim ndërmjet dy udhëheqësve më të lartë shtetëror ndodhi në qershor të 2021, pak muaj pasi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje mori timonin e ekzekutivit kosovar.

Takimi trilateral ndërmjet Kurtit e Vuçit dhe i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell u përcoll me deklarata të kundërta pas përfundimit.

Ndërsa kryeministri Kurti përmendi nevojën për një dialog të ri e të përgatitur mirë që do të dërgonte në njohje reciproke, presidenti serb theksoi se njohja e ndërsjellë është jashtë diskutimit.

Edhe më i nxehtë në biseda ishte takimi i dytë, i cili në fakt ishte i takim i shkurtër.

Si gjithmonë për asgjë nuk u ra dakord, përveç maksimës së njohur që “bisedimet do të vazhdojnë”.

Përplasja më e madhe erdhi mbi të kaluarën, teksa kryeministri Kurti e cilësoi si gënjeshtar.

Ndërsa serbi ia ktheu se pala prishtinase është jo serioze.

Në këtë takim kryeministri Kurti paraqiti një plan gjashtë pikësh për paqe, i cili u refuzoi nga pala serbe ende pa u lexuar. Ndërsa shefi i Presidencës së Serbisë tha se delegacioni i Kosovës flet vetëm për kaluarën.

Kujtojmë që në këtë takim Kurti tentoi t’i dhuronte Vuçiqit disa libra përfshirë librin që përmbledh rrëfimet e grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës dhe librin e Bejtullah Destanit “Muhaxhirët – Dosja Britanike”.

Krahas takimeve Kurti-Vuçiq, edhe disa takime të tjera ndërmjet zv.kryeministrit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqit, shefit të ekipit negociator serb.

E nga gjitha këto takime u dakordua vetëm për ‘stickers’-at. Edhe kjo për shkak të eskalimit të situatës në veriun e Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

Që nga korriku i vitit të kaluar, nuk është realizuar asnjë takim ndërmjet Kurtit e Vuçit.

Dialogu në sytë e analistëve

Mënyrën se si u angazhua Kosovë në negociatat në Bruksel nën qeverisjen e kryeministrit Kurti, analisti Emir Abrashi, e cilëson si ‘paaftësi’ dhe vlerëson se tashmë kemi një ngecje në çështjen e dialogut.

“Në çështjen e dialogut me Serbinë, kemi një ngecje, e që për rrjedhojë rrezikojmë ta humbasim fokusin e aleatëve tanë në Uashington e Bruksel, të cilët si asnjëherë më parë, kanë qenë unik në rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë”, tha Abrashi për Nacionale.

Por ndryshe mendon Adi Beqiri, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shkolla e Diplomacisë në Gjenevë, i cili ka vlerësime pozitive për Qeverinë Kurti rreth dialogut.

“Nga ajo që kam parë deri më tani, nuk besoj që ka vend për nota negative për qëndrimin e qasjen e Qeverisë Kurti në drejtim të me këtë pikë. Më duket që Kurti megjithatë ka lëvizur pak nga ajo pika fillestare që thoshte se dialogu është ndër top pesë apo gjashtë prioritetet. Në kuptimin e e koncensioneve apo lëshimeve rreth parimeve kryesore, rreth elementeve kryesore që do të duhej ta karakterizonte dialogun deri më tani nuk kam parë ndonjë lëshim”, deklaroi Beqiri për Nacionale.

Për Abrashin problematike është edhe çështja e mungesës së një strategjia kombëtare për dialogun me Serbinë.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë të paafta për të hartuar një strategji kombëtare për dialogun, e cila do të duhej të përpilohej në bashkëpunim edhe me opozitën e shoqërinë civile, e e cila do të shërbente si udhërrëfyes për institucionet e Kosovës sa i përket prioriteteve në dialog, vijave të kuqe, por e cila në fund të ditës do t’i jepte peshë edhe më të madhe palës kosovare në tryezën e dialogut, por edhe do të na e mundësonte ta mbanim qeverinë në llogari për mbarëvajtjen e këtij procesi”, shtoi tutje Abrashi.

Ndryshe gjatë një viti qeverisje Kurtit i erdhën disa letra nga SHBA, të cilat kërkonin angazhim të shtuar për përfundimin e dialogut që, sipas amerikanëve, duhet të jetë e qendërzuar në njohje reciproke.

Gjatë ditës së sotme, Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun, ka konfirmuar se po punohet për takimin e tretë ndërmjet Kurtit e Vuçiqit.

Lajme të ngjashme