Paga minimale përplas Qeverinë me sindikatat e opozitën
Kosova ka pagën minimale më të ulët në Ballkan me vetëm 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi moshën 35 vjeç. Ndonëse sipas Ligjit të Punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, paga minimale në Kosovë vazhdon të mbetet e njëjtë që nga viti 2011.
Debatet mbi rritjen e pagës minimale tashmë janë rikthyer përsëri duke hapur temën rreth ripërcaktimit të saj përkitazi me realitetin e ri ekonomik në vend. Kjo pasiqë së fundmi, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave pas një mbledhje me Këshillin Ekonomik Social ka propozuar që kjo pagë të jetë 264 euro, ndonëse premtimi i Kryeministrit Albin Kurti kishte qenë se paga minimale do të jetë 350 euro. Ndërkohë që ky ligj ishte paralajmëruar të vijë në Kuvend këtë muaj, një gjë e tilla ka pak gjasa të ndodhë pasiqë gjysma e marsit tashmë ka kaluar, shkruan Gazeta Nacionale.
Megjithatë propozimi i Ministrit së Financave për pagën minimale prej 264 euro nuk ka arritur t’i marr votat e mjaftueshme të sindikatave të punëtorëve që ishin pjesë e Këshillit Ekonomik Social. Për këtë refuzim, ministri Murati kishte njoftuar në një shkrim në Facebook duke e quajtur të pakuptimtë mosvotimin e këtij propozimi. Tutje ai kishte thënë se përllogaritja sipas udhëzimit administrativ që u prezantua para KES fillimisht ishte 240.2 euro/muaj.
“Megjithatë, ne si qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi. Megjithatë, propozimi nuk morri votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën”, ka shkruar ministri i Financave.“Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, shkroi Murati.
Ndonëse nuk u ftua në takim, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Jusuf Azemi, e cilëson propozimin e Qeverisë si qesharak. Kjo pasi paga mesatare bruto për sektorin privat në Kosovë është 380 euro.
“Dhe ne e kemi thënë më herët se ato 264 euro le t’i ruajnë për vete Qeveria, pasiqë është një pagë demode, dhe nëse dalin këta me këtë pagë vetëm sa i jepet një imput hala më i madh për të ikur punëtorët jashtë vendit”, thotë Azemi për Nacionale.
I pari i BSPK thotë se në rast të kalimit të këtij propozimi nga ana e Qeverisë do t’i kontribuonte kompanive private, por jo edhe punëtorëve të këtij sektori.
“Shteti është i interesuar sipas të gjitha gjasave që t’i ruaj kompanitë private, edhe ne jemi për t’i ruajtur kompanitë private por jo me përfitu kompanitë dhe punëtorët me u dëmtu”, thotë kryetari i BSPK-së.
Për ekonomistin Lekë Musa, çështja e pagës minimale në sektorin privat nuk duhet të rregullohet nga qeveria, sepse ajo negociohet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
“Nëse rregullohet me ligj, punëdhënësi mundet me vendos me mbyll biznesin, t’i perjashtojë nga puna nesë nuk i konvenon, apo edhe të rritet informaliteti, d.m.th nuk deklarohen pagat dhe indirekt bie shuma e tatimit e cila mblidhet. Qëllimi i në Kosovë do të duhet të jetë zvogëlimi i papunësisë dhe përmisimi i kushteve të punës dhe rrittja e formalitetit duke kyq sa më shumë brenda sistemit legal”, thotë Musa për Nacionale.
Tutje ai ka thënë se rritja e pagës në sektorin publik e dëmton atë privat meqenëse e ulë aktraktivitetin në joshjen e punëtorëve.
“Ajo çfarë duhet të ndodh në Kosovë është që të nivelizohen pagat, sepse në Kosovë përshembull, paga e deputetit është 12 herë sa paga minimale në vend, ndërsa në vendet e rajonit ajo nuk shkon më shumë se katër apo pesë herë”, përfundon Musa.
Partitë opozitare pro rritjes së pagës minimale
Gjatë kohës sa temë diskutimi ishte paga minimale, kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, njëherësh deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, deklaroi se inflacioni, kriza energjetike dhe situata me pandeminë e kanë bërë të detyrueshme ripërcaktimin e minimumit të pagës.
“Nëse ndalemi dhe i shikojmë rrjedhat dhe zhvillimet socio-ekonomike të vendit e sidomos në këtë 6-mujorin fundit, është e domosdoshme ngritja e pagës minimale dhe nëse duam të besojmë në parametrat që na i prezanton Qeveria aktuale se kemi rritje 9 deri në 10% dhe një inflacion mbi 12% dhe e kemi një situatë të tillë pandemie do të thotë që është mjaftë shqetësuese për të gjithë popullatën sepse kemi një krizë energjetike të veçantë në raport me situatën normale atëherë është e domosdoshme të besojmë që paga minimale është obligative të rritet. Pra është e domosdoshme rritja e pagës minimale por e mbështetur në këta faktorë që i përmenda, ajo duhet të jetë mbi 300 euro, pra 300 deri në 350 varësisht nga kalkulimet dhe llogaritjet që bëhen edhe në kuptimin buxhetor dhe financiar”, ka potencuar Shala.
Deputeti tjetër opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj, deklaroi se qytetarët e kanë të vështirë jetesën në këtë kohë për shkak të rritjes së çmimeve. Në këtë kontekst, sipas tij shfaqet nevoja edhe për rritje të pagës minimale deri në 350 euro.
“Paga minimale duhet të jetë së paku 350 euro me që nisemi që mjaftë janë ngritur çmimet dhe këtë drejtim me zi po e përballojnë qytetarët e Kosovës në përgjithësi e sidomos ata që e kanë pagën minimale 250 euro apo edhe më pak”, thoshte Pal Lokaj.
Mirëpo, në kohën kur subjekti i Lekajt udhëhiqte me Qeverinë ishte premtuar se rroga minimale do të jetë 250 euro, shumë me të cilën ishte pajtuar edhe BSPK-ja që tash kundërshton.
“Ne jem pajtu që në vitin 2017 - pa e pasur këtë ngritje të cmimeve, jemi pajtu që paga me qenë 250 euro, por kryeministri Haradinaj atëhere nuk e nënshkrujti, dmth para 5 vjete. Por prej asaj periudhe kanë ndryshu gjërat, është shtrejtu jeta dhe me këto cmime e me këto ndryshime mendoj që vetëm sa është sanksionu sektori privat”, thotë Azemi për Nacionale.
Ndërkohë, Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate në një prononcim për Nacionale, thotë që paga minimale është një instrument për rritjen e mirëqenises shoqërore dhe uljen e pabarazisë.
Mirëpo sipas Hysenit propozimi i qeverisë për pagën minimale nuk është i mjaftueshëm, sepse nuk konsideron zhvillimet e fundit socio-ekonomike në vend.
“Po i permendim disa nga artikujt bazikë të shportës: buka kushton 25% më shtrenjtë, vezët 50%, vaji 100%, sheqeri 24%, qumështi 6.8%, patatja 60%, mishi 10%”, thotë Hyseni.
Si rezultat i këtyre ndryshimeve, Hyseni beson se duhet ngritur niveli i pagave edhe në sektorin publik dhe paga minimale të llogaritet si 80% e pagës së mesme. Mirëpo, sipas nënkryetarit të PSD-së, Qeveria nuk ka plan si ta bëjë këtë.
“Përtej nivelit të pagës, problem i madh është fakti që Qeveria nuk na thotë metodologjinë bashkë me formulë llogaritëse të pages minimale, në mënyrë që e njejta të bëhet çdo vit”, thotë Hyseni, i cili shton se kjo qeveri është në konflikt të hapur me sindikatat dhe favorizuese për “kompanitë milionëshe” siç i quan ai.
Ndërkohë, për çështjen e pagës minimale nuk kanë qëndruar duarkryq as Organizata e Veteranëve të Luftës, e cila kërkon që edhe kjo kategori të përfshihet në Ligjin për pagat minimale.
“Të mos bëhen çdoherë temë veteranët te cilëve me ligjin ekzistues që është në fuqi iu rritet pensioni krahas pagës minimale”, kishte deklaruar ditë më parë Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.
Aktualisht konsiderohet se përfitues të këtij pensioni janë 36 mijë veterane, që i kushton buxhetit të Kosovës 6 milion e 120 mijë euro në muaj, mirëpo nëse me Ligjin për pagën minimale do të jenë përfitues edhe veteranët, dhe e marrim propozimin e qeverisë si prag i kësaj page, kjo do të kishte një kosto buxhetore prej mbi 9 milion e 500 mijë euro për muaj, apo mbi 114 milion euro në vit.