Pacolli falënderon votuesit: Familja tradicionale meriton të mbrohet çdo ditë e më shumë
Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së, që ishte pjesë e Koalicionit për Familjen, koalicion që nuk e kaloi pragun, ka shkruar një deklaratë falenderimi për të gjithë votuesit e tij.
Pacolli ka shkruar se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar dinjitet, urtësi e qytetërim.
“Deklaratë Falënderimi
Si mbështetës dhe pjesë i “Koalicionit për Familje”dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që morën pjesë në këto zgjedhje, duke dëshmuar dinjitet, urtësi dhe qytetërim. Në veçanti, falënderoj të gjithë ata që, me ANGAZHIMIN e tyre dhe me votën e tyre, i dhanë mbështetje koalicionit tonë.
Gjithashtu, shpreh mirënjohje të thellë për partnerët tanë të koalicionit, aktivistët që bënë të mundur zhvillimin e një fushate dinjitoze, si dhe kandidatët për deputetë që garuan me përkushtim. Ju keni dhënë gjithçka që ka qenë në dorën tuaj!
Nga ana tjetër, më vjen keq që humbëm një mundësi të rëndësishme për t’i dalë në mbështetje familjes, dinjitetit dhe traditës sonë – vlera këto që mbrohen edhe nga shoqëritë më demokratike në botë.
Besoj fuqishëm se ky koalicion në të ardhmën duhet të vazhdojë të punojë me më shumë përkushtim, sepse familja jonë tradicionale meriton të mbrohet dhe të fuqizohet çdo ditë e më shumë” – ka shkruar Pacolli.