Pa lejën e Kosovës, tifozët e Crvena Zvezdas e financojnë restaurimin e Manastirit të Banjskës
Mediumi Koha sot ka raportuar në lidhje me restaurimin e Manastirit të Banjskës, ku më 24 shtator hynë dhunshëm grupi i armatosur i serbëve që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, i cili e pranoi se e udhëhoqi grupin që kreu sulm terrorist.
Në shkrimin e Kohës, tregohet se një ndërhyrje është në proces, e cila ndërhyrje restauruse që kushton 25 mijë euro është financuar nga “Delije”, grupi i tifozëve të futbollit Crvena Zvezda.
Për më shumë, sipas Kohës, kjo ndërhyrje është bërë pa lejën e institucioneve të Kosovës.
“Intervenimi i fundit ka nisur në fillim të shtatorit të këtij viti. Pavarësisht ligjeve të Kosovës, ku për ndërhyrje në monumente kërkohet pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, KOS nuk ka përfillur kurrfarë procedure. Madje intervenimi i nisur në shtator është duke u bërë me tre milionë dinarë (25 mijë e 606 euro) të fondacionit “Delije”, organizatë e tifozëve të klubit futbollistik beogradas “Crvena Zvezda” (Ylli i Kuq).” – shkruan mediumi Koha.