Osmani takon tre ambasadorë të QUINT-it për t’u koordinuar rreth “zhbllokimit të procesit” të anëtarësimit në KiE
Koordinim për zhbllokim të procesit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kështu e tha Presidenca e Kosovës në një komunikatë për media përmbajtjen e bisedimeve në takimin mes Vjosa Osmanit dhe ambasdorëve të ShBA-së, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kujtojmë se Presidentja e Kosovës as nuk ka qenë në dijeni dhe as s’e ka mbështetur letrën e dërguar nga Qeveria e Kosovës në KiE ku zotohen se do të draftojnë një Statut të ri të Asociacionit dhe ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit në këmbim të votimit të Kosovës në KiE nga Komiteti i Ministrave.
Komunikata e plotë e Presidencës:
| Presidentja Osmani ka takuar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Në këto takime është diskutuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe koordinimi për zhbllokimin e procesit anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Lidhur me këtë proces, Presidentja sot gjatë ditës ka biseduar edhe me ambasadorë të shteteve tjera aleate.