Osmani takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë - NACIONALE

Osmani takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Bashkimt Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe një ekip të zyrës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë të udhëhequr nga Nona Zicherman.

Në njoftimin e Zyrës së Presidencës thuhet se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e regjistrimit të popullësisë, i cili pritet të realizohet në Kosovë gjatë këtij viti.

“Duke folur për rëndësinë e veçantë të këtij procesi, Presidentja Osmani u shpreh se do ta mbështesë vazhdimisht atë duke potencuar rëndësinë e realizimit të tij, si dhe faktin që statistikat e përditësuara do të kontribuojnë po ashtu edhe në sigurimin e projekteve të shumta zhvillimore. Ajo shprehu besimin se ky proces do të gjejë mbështetje nga të gjitha palët, duke qenë se është në dobi të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve”,-thuhet në njoftim.

Takimi ka vazhduar me një diskutim të Osmanit me Szunyogun rreth miratimit të tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Me ratifikimin e marrëveshjes për liri të lëvizjes, marrëveshjes për njohje të kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, si dhe marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, do të avancohet dukshëm liria e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor”, citohet të ketë thënë Osmani.

Lajme të ngjashme