Osmani shpreh keqardhje pasi PDK dhe LDK refuzuan ftesën për takim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se paradite është takuar me kreun e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe pasdite me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se Osmani dhe Konjufca kanë biseduar për koordinimin e vazhdueshëm ndërinstitucional, ndërsa me Haradinaj ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
Në letrën dërguar krerëve të partive opozitare, “Osmani ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta që përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë si dhe fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, anëtarësimin në NATO dhe BE.”
Presidentja Osmani ka shprehur keqardhje për partitë e tjera opozitare që kanë refuzuar ftesën e saj për takim, ku LDK dhe PDK nuk kanë pranuar që të takohen me Osmanin.
“Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Osmani ka shtuar se kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.
Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.
