Osmani sërish paraqitet me video që në sfond ka foton e Rugovës, thumbon pak Kurtin: Po, kam qenë edhe në shoqatën e zjarrfikësve
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka dalë me videon e radhës.
Ajo ka quajtur “dezinformata” deklaratat se ajo po i takon qytetarët vetëm këto ditë.
Sipas saj, një gjë të tillë e ka bërë edhe sa ka qenë presidente.
Edhe në këtë video ajo është shfaqur me një fotografi të ish-presidentit Ibrahim Rugova në sfond.
Duke treguar për takimet që ka pasur me qytetarë, ajo ka thumbuar pak edhe liderin e VV-së, Albin Kurti.
“Përgjatë pesë viteve mandat, vazhdimisht kam vizituar komunat, kam takuar qytetarët, kam mbështetur grupet e marxhinalizuara, kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë. Vizita në fshatra e lagje të ndryshme, në kopshte, në shkolla, në spitale, në institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë. Dhe po, edhe në shoqatën e zjarrfikësve. Këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”, ka thënë Osmani.
Përmendja e shoqatës së zjarrfikëse duket se thumbin ndaj Kurtit, pasi ky i fundit një çështje të tillë e kishte përmendur gjatë takimeve me liderët e partive politike për zgjedhjen e presidenti.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se gjatë një takimi Kurti i kishte thënë se Kosovës i duhet një president që merret me shoqatën e zjarrfikësve.