Osmani për masakrën e 3-4 shkurtit: Thirrja për drejtësi është nderim për të vrarët, të plagosurit dhe të dëbuarit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e dy ditëve të tmerrit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Duke përmendur të plagosurit dhe familjet e dëbuara nga veri, Osmani ka thënë se mishërojnë kujtesën dhe nevojën për drejtësi.
Osmani përmes një postimi ka thënë se thirrja për drejtësi është nderim për të vrarët, të plagosurit dhe të dëbuarit.
“Dhjetë qytetarë shqiptarë të vrarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq nga banda të armatosura serbe, 25 të plagosur ndërmjet 3-4 shkurtit të vitit 2000, sikurse edhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga pjesa veriore e Mitrovicës, mishërojnë kujtesën dhe nevojën për drejtësi. Në 23-vjetorin e ditëve të tmerrit në këtë pjesë, thirrja për drejtësi është nderim për të vrarët, të plagosurit dhe të dëbuarit. Qoftë i përhershëm kujtimi për viktimat e drejtësia synim i vazhdueshëm deri në vënien e autorëve para përgjegjësisë!” – ka shkruar Osmani.
