Osmani pas takimit me Lajçak: Kosova ka treguar vullnet për deeskalim duke ofruar mundësi për zgjedhje të reja në veri
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas përfundimit të takimit, presidenca ka dalur me komunikatë për media. Në komunikatë thuhet se Osmani e Lajçak diskutuan për nevojën e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit e aneksit të Ohrit.
Tutje aty thuhet se Osmani, ka theksuar se Kosova ka treguar vullnet për deeskalim të situatës në very, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në very, në përputhje me ligjet në Kosovë.
Ndryshe, Lajçak ka mbërritur sot në Kosovë, ku pritet të zhvillojë edhe takime të tjera, vetëm pak ditë pasi BE, vendosi ta vë nën masa Kosovësn, duke pezulluar kështu, disa nga fondet e bashkëpunimet ndërmjet Kosovës e BE-së.
E plotë:
Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák.
Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për deeskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.