Osmani në Vjenë, e lavdëron marrëveshjen e Ohrit: Është momentum i ri për Kosovën - NACIONALE

Osmani në Vjenë, e lavdëron marrëveshjen e Ohrit: Është momentum i ri për Kosovën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është duke e mbajtur një fjalim në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku kohë më parë kishte folur edhe kryeministri Albin Kurti. Në fjalimin e saj, që titullohej “Ligjeratë mbi momentumin e ri për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, Osmani foli gjerë e gjatë për suksesin e Kosovës në dy vitet e fundit.

Sikurse vetë Kurti, edhe Osmani përmendi disa ngritje në rënditjen e organizatave ndërkombëtare, duke vlerësuar se pushteti aktual po bën reforma demokratike që fuqizojnë sundimin e ligjit e qëndrueshmërinë demokratike.

“Kosova është një storie e suksesit për të qenë krenar, për shkak se në vetëm dy vite, ne kemi arritur të ndërmarrim reforma demokratike dhe dhe të sundimit të ligjit që e kanë bërë Kosovën një nga tri vendet në botë, botërisht, në çështje të qëndrueshmërisë demokratike dhe zhvillimit demokratik sipas Freedom House” – deklaroi Osmani.

E kur përfundoi lëvdatat, zonja Osmani nisi të komentoj marrëveshjen evropiane, për të cilën u dakordua Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë. Ajo tha se marrëveshja aktuale është mes dy vendeve e shteteve të barabarta.

“Mesazhi i dytë i rëndësishëm që dua të potencoj në fillim, është marrëveshjes e re që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ne besojmë që kjo marrëveshje krijon, absolutisht krijon, një momentum të ri për integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Nëse e shikon dhe e krahason me të gjitha marrëveshjet e tjera të arritura në procesin e dialogut në këto 12 vite, dhe kanë qenë shumë marrëveshje. Kjo marrëveshje është ndërmjet dy palëve kontraktuese, ndërmjet dy vendeve të barabarta, ndërmjet dy shteteve të barabarta, që sipas nenit 1, respektojnë parimin e integritetit territorial, respektojnë parimin e sovranitetit, respektojnë parimet e tjera të përfshira në Kartën e OKB-së” – vlerësoi zonja Osmani.

Tutje, Osmani vlerësoi se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme dhe i hap rrugë Kosovës drejt integrimeve evropiane. Presidentja Osmani u pa optimiste për të ardhmen e Kosovës pas marrëveshjes evropiane, ndonëse kohë më parë shefja e shtetit kishte vlerësuar se marrëveshja prek disa parime themelore, për çka duhet të ratifikohet në Kuvend.

“Në këtë situatë, ne kemi një momentum për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Nëse flasim për njohje të anëtarëve individualë, por në të njëjtën kohë, një momentum i ri për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Pra në fakt, kjo ka të bëjë më pak me marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë dhe më shumë për një zotim që ne morëm nga aleatët tanë dhe partnerët që do të ketë një shtyerje të fortë për të bërë Kosovën një anëtar meritor të barabartë i komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht në organizata ku ne nuk kemi ende një ulëse” – vlerësoi zonja Osmani.

Në fjalimin e saj, zonja Osmani e përmendi edhe Ibrahim Rugovën, ish-president i Kosovës, duke theksuar se Kosova e ka zgjedhur pa ndonjë imponim rrugën e saj euro-atlantike.

“Populli i Kosovës ka mbetur i vendosur në rrugën e tyre euro-atlantike. Dhe kjo rrugë euro-atlantike është zgjidhje e jona, nuk na është imponuar. Ka qenë vizioni ynë që nga koha e themeltarit të Republikës sonë, Ibrahim Rugova, dhe ka mbetur rrugë dhe vizion ynë përgjatë ekzistencës sonë si komb dhe posaçërisht si shtet” – vlerësoi zonja Osmani.

Lajme të ngjashme