Osmani në takim me Lajçak dhe Escobar: Jemi palë konstruktive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog.
Këtë e ka theksuar në takimin me emisarin e Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
KOMUNIKATA:
Presidentja Osmani në takim me të dërguarit e posaçëm Lajčák dhe Escobar: Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut, të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë. “Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie.