Osmani në ShBA takime me republikanët, ‘mesazh’ Kurtit: Komunikimi e shkëmbimi, i domosdoshëm - NACIONALE

Osmani në ShBA takime me republikanët, ‘mesazh’ Kurtit: Komunikimi e shkëmbimi, i domosdoshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këto ditë ka qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej ku ka ndarë pamje nga disa prej takimeve që ka pasur atje. Nga këto takime, është parë që shumica prej tyre janë me politikanë republikanë, ndërsa në deklarimin e saj të fundit, ajo duket të ketë një mesazh për kryeministrin Albin Kurti.

Osmani gjatë javës së kaluar u pa duke u përshëndetur me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Nacionale këtë javë raportoi ekskluzivisht se gjatë këtij takimi të shkurtër, ishte përmendur edhe Richard Grenell, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

“Richard Grenell është njeri fantastik” mësohet t’i ketë thënë veç tjerash Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, Presidentes Vjosa Osmani në Paris, në ceremoninë e rihapjes së Notre Dame, para pak ditësh në Paris.

Me të arritur në ShBA, Osmani do të njoftonte se ka takuar senatorin republikan, Thom Tillis. Më pas, ajo shkroi edhe për takime të tjera të ndara me kongresistin republikan, Pete Sessions, kongresistin Gary Palmer, senatoren republikane Joni Ernst e sentatorin Ted Cruz.

Sot ndërkaq, ajo tha se ka takuar kongresistët republikanë Mike Lawler dhe Keith Self.

Në një shkrim të fundit, ku ajo flet për bisedën me kongresistin republikan Tim Burchett, Osmani “i dërgon një mesazh” Kurtit.

“Komunikimi dhe shkëmbimi i rregullt janë të domosdoshme për të forcuar këtë partneritet. Në këtë kontekst, diskutuam mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, nga siguria deri te zhvillimi ekonomik” – ka shkruar mes tjerash presidentja.

Kryeministrit, disa herë i është tërhequr vërejtja nga vetë ShBA-të për përkeqësimin e marrëdhënieve mes tyre, për shkak të veprimeve që janë konsideruar si të njëanshme.

Luajtja bixhoz me aleatët

Një prej mesazheve më direkte për përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët, Osmani ia kishte dhënë Kurtit gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvendin e Kosovës.

Aty, ajo kishte thënë se luajtja bixhoz me aleatët, cenon vetë Republikën e Kosovës.

“Aleancat janë këtu për na të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luatja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë. Shihni deklaratat e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kalojnë me aleatë, sepse nuk mund të ia dalin vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin i emrit të tyre për të fituar pushtet. Asnjë njëra e as tjera nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleatëve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t`i çoi interesat e Kosovës përpara.” – kishte thënë Osmani.

Lajme të ngjashme