Osmani ‘koritet’ në fund te amerikanët: e mbështjellë me fjalë të mëdha, pa përmbajtje, telefonatën me Hanrahanin
Dy telefona cingërruan dje nga Fundi i Mjegullt*.
Numri i parë që ‘u sill’ ishte i Gjykatës Kushtetuese. Tjetri në Presidencë të Kosovës.
Këto komunikime zënore nga qendra e diplomacisë amerikane erdhën disa ditë pas ndërprerjes së komunikimit të lartë bilateral Kosovë – ShBA.
Mark Fleming i foli Nexhmi Rexhepit – Brendon Hanrahan, Vjosa Osmanit.
Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi e dha përmbajtjen e bisedës së vet me zyrtarin e lartë të diplomacisë amerikane: puna e derimëtashme e GjK-së, mbështetja amerikane e vazhdueshme për gardianët e rendit kushtetues dhe pavarësinë institucionale.
Por, jo edhe Vjosa Osmani bisedën me Hanrahan: Presidentja e Kosovës, në fraza krej të ajrta dhe pa referent u lëshua në përgjithësime që s’thonë asgjë për amandamentimin e rënies së marrëdhënieve Kosovë – ShBA.
“Biseda u fokusua në punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe rolin e saj në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. Kryetari Rexhepi e falënderoi z. Fleming për telefonatën dhe shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha GjK.
Osmani që në marrëdhënie me publikun për vite e ka paraqitur veten për kontakt primar amerikan: e zhvendosi veten në rreshtim me Albin Kurtin në sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe linjës së tregimit të Vetëvendosjes. Linjë kjo që çoi në ‘sanksionimin’ e fundit amerikan: me emër të përvetshëm shkaktar, Albin Kurtin.
Ndonëse telefonatat sintaksë e patën njëherë Rexhepin dhe pastaj Osmanin, kjo e fundit pati fjali të përgjithësuara për “ruajtje dhe prezervim të aleancës bazuar në besim të ndërsjellë e bashkëpunim”.
“Sot pata një telefonatë me Zyrtarin e Lartë të Byrosë së DASh, Brendan Hanrahan, gjatë së cilës u përqendrova në rëndësinë e ruajtjes së aleancës sonë të fortë dhe sigurimit të koordinimit të ngushtë me partnerin tonë kyç. Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Si Presidente e vendit tim, do të angazhohem me administratën e Presidentit Trump për të ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ishte çka pati për të thënë ajo.
I had a phone call today with @StateEUR Senior Bureau Official Brendan Hanrahan, during which I focused on the importance of maintaining our strong alliance and ensuring close coordination with our key partner.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) September 17, 2025
The strong alliance with the U.S. has always been to the benefit of…
Por, ndonëse Osmani e etiketoi emrin e Hanrahan në “X”, ky i fundit nuk ka bërë postim e as dhënë përmbajtje të telefonatës me Vjosa Osmanin.
‘Kupa e mbushur’
Për katër vite ambasadori i ShBA-së në Kosovë foli media për të dhënë vështrimin e vet se pse shteti i vet i dha goditje nivelit të lartë të angazhimit Kosovë – ShBA. Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese, tha ai, nuk janë arsyea e vetme, por arsyeja e fundit “që mbushi kupën”.
“Nuk besoj se kishte një akt të vetëm që çoi në këtë vendim. Mendoj, gjithashtu, se ishte një grumbullim i frustrimeve, ose, për të përdorur një shprehje amerikane, ishte pika që e mbushi kupën”, tha Hovenier për Radion Evropa e Lirë.
“Mendoj se akti i fundit që çoi në këtë vendim - ai që bëri që njerëzit në Uashington të vendosnin se duhej të ndërmerrnin veprime - ishin deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve në Qeverinë e tij që kritikuan drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese (...)
(...) një institucion i pavarur, i themelur me Kushtetutë, në hartimin e së cilës ka kontribuuar edhe SHBA-ja. Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime”.
Përdredhja mohuese e VV-së
Spin-doktorë të Vetëvendosjes u angazhuan me orar të plotë për të mohuar se ka prishje të marrëdhënieve në rend të parë: një varg prej tyre provuan të dominojnë diskursin në rrjete sociale të shoqëruar edhe me botë-pa-fund digjitalë duke shpërndarë përmbajtje të përdredhuar.
Madje edhe Jeffrey Hovenier tha të ketë vërejtur këtë tentim përzbutjeje e mohimi.
“Një gjë që kam vënë re në postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat e tjera të zyrtarëve, është se disa po përpiqen ta minimizojnë këtë. Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Nëse gjithçka do të ishte mirë, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik - përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar”. Tha ai.
Madje pati prej tyre të Vetëvendosjes, si Armend Muja, që shkruan se “kjo na konvenon” e si Arbër Rexhaj që kërkonte “rezistim e durimit” se në fund, përkthyeshëm, ShBA-ja ripajtohet.
...
* Fundi i Mjegullt ose “Foggy Bottom” është një nofkë që vjen nga gjeografia dhe historia e Uashingtonit, D.C. Selia e Departamentit të Shtetit, Ndërtesa Harry S. Truman, ndodhet në lagjen Foggy Bottom të D.C.
Kjo lagje mori emrin e saj në shekullin e 19-të sepse ndodhet ulët përgjatë lumit Potomac, ku mjegulla nga lumi shpesh vendoset dhe qëndron.
Me kalimin e kohës, emri mbeti, dhe sot “Foggy Bottom” përdoret shpesh si metonim për Departamentin e Shtetit - ashtu si “Pentagoni” është shkurtim për Departamentin e Mbrojtjes ose “Wall Street” për sektorin financiar të SHBA-së.