Osmani kërkon plan balancues: Jo Serbia të përfitojë në fillim, e Kosovës t’i thuhet prit edhe pak
Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Presidentja Vjosa Osmani thotë se duhet një Plan sekuencues, i cili është i balancuar për të dy palët: Kosovën dhe Serbinë.
Nga Lipjani, ku ishte për vizitë, Osmani tha se plani sekuencues që është paraqitur një herë para palëve, ka qenë i papranueshëm për shkak se parashihte zbatimin e pikave të marrëveshjes, që ‘janë të mira për Serbinë’.
Deklarata e plotë, përcjell Nacionale:
“Mendoj që mjafton që të lexohet Marrëveshja dhe Aneksi dhe të shikohen veprimet e palëve në terren për të ardhë te një përfundim komplet objektiv që në këtë rast besoj se nuk është vetëm i imi por i secilit njeri që e lexon marrëveshjen me objektivitet.
Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje e cila qartë i kërkon të mos e shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njoh subjektivitetin ndërkombëtar, të mos votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të mos përdorë dhunë në relacione ndër shtetërore, e shumë e shumë të tjera.
Sic e dini, edhe nga vetë përmbledhja e BE-së, Serbia nuk i ka zbatuar më shumë se gjysmën e marrëveshjeve të nënshkruara në këtë 10 vjeçar të dialogut.
Ajo që do duhej të ndodhte në këtë periudhë e që do ta lehtësonte zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të kësaj marrëveshje, është mungesa e një Plani të zbatimit, që ende është duke u hartuar në Bruksel.
Unë kam qenë kundër Planit që ka qenë i zbatuar sepse ka paraparë që shumica re përfitimeve për Serbinë nga kjo marrëveshje, të jenë në fillim.
Kërkoj të ketë trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të jetë balancues, e jo njëra palë t’i ketë përfitimet në fillim e për Kosovën, përfitimet të jenë në fund.
Jo të kemi situatë kur Serbia përfiton, e Kosovës t’i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë”, tha Osmani.