Osmani i kërkon Kallasit heqjen e sanksioneve të BE-së, por para amerikanëve nuk përmend pezullimin e Dialogut Strategjik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, prej disa ditësh po qëndron në Nju-Jork, ku po zhvillona takime të niveleve të ndryshme. Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ajo ka zhvilluar takime me disa zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe të BE-së.
Në këto takime ajo ka ndjekur qasje të ndryshme. Derisa evropianeve ua ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, në takimet me zyrtarët amerikanë ajo nuk e ka përmendur fare çështjen e pezullimit të Dialogut Strategjik nga ShBA-ja, i cili ka ndodhur para dy jave.
Të paktën në njoftimet zyrtare që i ka bërë shefja e shtetit nuk ka treguar nëse e ka diskutuar këtë temë me diplomatët amerikan.
“Takimin” me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubi, ajo e ka quajtur përmbajtjesor, por pezullimin e dialogut nuk e ka përmendur fare.
“Me Sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtjesore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga Presidenti Trump”, ka shkruar Osmani.
Këtë temë nuk e ka përmendur as gjatë takimit me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan.
“Pas një bisede telefonike përmbajtësore të zhvilluar ditë më parë, u takova në Neë York me z. Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ritheksova rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik. Mbetem e përkushtuar ta mbroj dhe forcoj këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok”, ka shkruar presidentja.
Por, ndryshe është sjell me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.
Në takimin që e ka pasur me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, ajo i ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
E para e vendit ka vlerësuar se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta.
“Në Neë York, takova përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me të cilën diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim. Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë”, ka shkruar Osmani.
Para dy jave Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte njoftuar se ShBA-ja ka marrë vendimin e për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën.
Aty ishin treguar edhe arsyet që kishin çuar deri të ky vendim.
“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e tyre të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimit rreth veprimeve të qeverisë në detyrë, të cilat i kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj avancimit të interesave të përbashkëta të ndara nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës”, është thënë në njoftimin e ambasadës.
Më pas, në njoftim janë përmendet edhe deklaratat e fundit të kryeministrit Kurti.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën është e mbështetur në një qëllim të përbashkët: fuqizimi i paqes dhe stabilitetit si një bazë për mirëqenie të përbashkët ekonomike. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite. Dialogu strategjik kishte për qëllim që t’i fuqizonte lidhjet ekonomike dhe diplomatike për të mirën e popullit amerikan dhe kosovar. Ne shpresojmë që të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen, kur të jetë e duhur. Ne e njohim këtë si qëllim i bërë prioritet nga populli i Kosovës”, është thënë në njoftim.