Osmani e lumtur që po ndryshon lidershipi në BE: Barazia në dialog do të kthehet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka barazi dhe sipas saj, “tavolina është përmbysur”, Duke folur në Forumin Globsec, ajo u shpreh e lumtur me ndryshimet në lidershipin evropian.
Osmani fillimisht kur u pyet për dialogun, deklaroi:
“Në negociata, ju keni një tavolinë mes dy palëve, duhet të jetë e rrafshtë, duhet të ketë barazi mes dy palëve, çfarë shohim aktualisht, tavolina është përmbysur….”
Presidentja shtoi se Serbia nuk ka implementuar marrëveshjes e arritura në kornizën e dialogut, madje, sipas saj lista është shumë e gjatë.
Osmani ka deklaruar se Serbia është tërhequr formalisht nga marrëveshja e shkurtit 2023 dhe aneksit të saj, në mars të 2023. Pavarësisht kësaj, ajo u shpreh se “shumica në BE thonë se Kosova duhet ta zbatojë njëanshëm këtë marrëveshje”.
“Pavarësisht kësaj, secili në BE, jo secili por shumica, thonë Kosova t’i implementojë obliimet e saj. Unë besoj fuqishëm se jemi në një situatë ku duhet ta kthejmë barazinë në tavolinë. Nëse palët trajtohen në mënyrë të barabartë, mund të kemi sukses.” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Presidentja e Kosovës u shpreh se duhet të pritet edhe pak për sukses, gjë që beson se do të ndodhë me ardhjen e Përfaqëuseses së Lartë, Kaja Kallas.
“Kemi besim që me ndryshimet në BE, me përfaqësuesin e lartë të ri që do të vijë, barazia do të kthehet si paakusht për sukses. Kemi besim dhe shpresë, por duhet të presim edhe pak muaj që këto suksese të shihen besoj.” – tha ajo.
Duke folur për mospajtimet – që kohëve të fundit kanë qenë në rritje – sipas saj kur ka koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, suksesi është më i qëndrueshëm.
“Është aleanca më e rëndësishmja, më ekzistencialja, aleanca më e fortë që e kemi ndërtuar ndër vite. Në vitet më të errëta, ShBA-ja ruajti popullin e Kosovës. Kur është baza e suksesshme, sfidat pastaj janë të kalueshme. Kur ka koordinim me ShBA-në, suksesi është më i qëndrueshëm, e kur nuk ka koordinim suksesi është momental, pasi mund të bësh hapa prapa.” – tha Osmani.
Sipas Osmanit, “pavarësisht deklaratave të mospajtimit nga zyrtarët amerikanë dhe ata të Qeverisë së Koovës, synimet përfundimtare janë të njëjta”.
“Sigurisht se do dëgjoni kohë pas kohe deklarata mospajtimi mes zyrtarëve në SHBA dhe Qeverisë së Kosovës sa u përket disa qasjeve, por kurrë për synimet përfundimtare ose vlerat fundamentale që i ndajmë. Nuk ka mospajtime në faktin se Kosova dhe SHBA-ja duan një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme, multietnike, të bazuar në Kushtetutë. Por, nganjëherë qasja drejt ruajtjes së Kosovës demokratike, sovrane dhe të fortë dhe se si e arrijmë atë, mund të dallojë. Qasja, taktikat, nuancat, ka ndryshime në to. Por, nuk ka asnjë ndryshim në atë se çfarë Kosove duam, cilat janë vlerat fundamentale për shtetet tona dhe marrëdhëniet tona.” – u shpreh ajo.