Osmani dekoron me medaljen "Nderi i Kosovës" të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një ceremoni të organizuar në objektin e Presidencës, me këtë medalje u nderuan Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri- Sylejmani dhe Ramadan Nishori.
Osmani tha se ata janë dëshmia e gjallë dhe shtylla jonë e luftës për drejtësi.
“Ka momente ku fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’ju përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën e drejtë së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që kanë zgjedhur heshtjen. Ky është një premtim i gjallë se historia nuk do t’i harrojë,” tha ajo.
Ndërsa, Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri e Nishori, vlerësuan përkrahjen në popull.