“Origjinën nga UÇK-ja”: Përfundon parada e FSK-së e Policisë së Kosovës - NACIONALE

“Origjinën nga UÇK-ja”: Përfundon parada e FSK-së e Policisë së Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në nderim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit është mbajtur parakalimi i Forcave të Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, e cila u ndjek drejtpërdrejtë nga qindra qytetarë. Në parakalim kanë marrë pjesë shumë njësite të FSK-së e PK-së, ndërsa parakalimi është udhëhequr nga komandanti Ilir Qeriqi, ndërsa urdhri u dha nga Osmani, që është edhe Komandante Supreme e FSK-së.

Ushtarët dhe policët e Kosovës janë pritur me shumë entuziazëm dhe duatrokitje, ndërsa në paradë parakaluan edhe njesitet speciale të Policisë, të cilat intervenuar trimërisht më 24 shtator gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit. Në parakalim morën pjesë 1500 ushtarë të FSK-së, që është një e treta e gjithë pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës.

Para se të fillonte parakalimi, kryeministri Albin Kurti kishte fjalë të mëdha për FSK-në. Sipas Kurtit, FSK-ja ka arritur përparim të madh, ndërsa origjinën e saj, kryeministri e lidhi me UÇK-në.

“Jam shumë i gëzuar që të shoh bashkë me ju përparimin e madh dhe të shpejt të FSK-së. Kjo është arritur si rezultat i investimeve dhe punës sonë të përbashkët shumëvjeçare dhe veçanërisht gjatë tri viteve të fundi…Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja, që në krye e kishte si prijës e shembull Adem Jasharin” – ka thënë Kurti.

Në fjalën e saj, Osmani ka thënë se sot po festohet një nga ditët më domethënëse në historinë e Kosovës.

“Sot jemi bashkë për të festuar një nga ditët më domethënëse në historinë e shtetit tonë, 12 Qershori, Ditën e Çlirimit. Në këtë ditë nderojmë trimërinë sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit të Kosovës, popull i cili luftoi trimërisht për lirinë që e gëzojmë sot” – ka thënë presidentja Osmani.

Tutje, presidentja Osmani vlerësoi se UÇK-ja ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës.

“Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona. Në Kosovë në vitin 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë i lirë. Në këtë luftë UÇK ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Gratë dhe burrat trima morën armët për ta mbrojtur të drejtën ton për të ekzistuar” – ka theksuar Shefja e Shtetit.

Lajme të ngjashme