Orav: Ky ishte një vit i humbur për Kosovën – elita politike duhet të bashkohet për të ecur përpara
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ishte i drejtpërdrejtë për situatën politike në vend, duke e cilësuar vitin e fundit si një “vit të humbur” në rrugën drejt progresit.
Ai paralajmëroi se mungesa e stabilitetit politik dhe e bashkëpunimit ndërmjet forcave politike po pengon seriozisht përparimin e Kosovës në proceset reformuese dhe në afrimin me Bashkimin Evropian.
Sipas ambasadorit, Kosova në vitin 2024 kishte qenë në pararojë të agjendës së reformave dhe shumë pranë pranimit të disbursimeve të para nga Plani i Rritjes, program i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor që synon të përshpejtojë zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por, sipas tij, mungesa e konsensusit politik e ka frenuar këtë proces:
“Ta them shumë qartë: Për t’ju ndihmuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, na duhen partnerë. Na duhet një qeveri që bashkëpunon. Një qeveri që mbështetet në një shumicë të fortë në Kuvend, e aftë të avancojë liritë themelore për të mirën e qytetarëve të Kosovës.
”Në këtë drejtim, për fat të keq, ky ka qenë një vit i humbur. Në vitin 2024, ju ishit në pararojë të agjendës së reformave, afër pranimit të disbursimeve të para në kuadër të Planit të Rritjes.” – tha ai.
Orav theksoi se elita politike e Kosovës duhet të veprojë me përgjegjësi dhe të tejkalojë ndarjet e brendshme – si ato politike, ashtu edhe ato etnike – për të siguruar një shumicë të qëndrueshme në Kuvend që do të mundësonte miratimin e marrëveshjeve si ajo e Planit të Rritjes.
“Elita politike në Kosovë duhet të bashkohet, përtej ndarjeve politike dhe etnike, dhe të formojë një shumicë të fortë që do të sigurojë ratifikimin e marrëveshjes së Planit të Rritjes dhe përparimin në detyrimet tuaja në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë. Pa këtë, do të humben edhe më shumë mundësi.” – tha ai.