Ora e së vërtetës: Vetëvendosje para provës së shumicës për “Kurti 3” - NACIONALE

Ora e së vërtetës: Vetëvendosje para provës së shumicës për “Kurti 3”

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Sot mësohet nëse Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka arritur t’i mbledhë votat për formimin e qeverisë së rë. Pa të paktën 61 duar të ngritura, nuk ka "Kurti 3".

Nga ora 10:00, deputetët e legjislaturës së nëntë – të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 – do të mblidhen në seancë për të vendosur mbi fatin e ekzekutivit, i cili prej gati një viti ushtrohet nga deputetë të betuar për shkak të ngërçit disa-mujor institucional.

Atomosera nuk është aspak optimiste. Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë Kurti, i cili deklaroi se nuk është e lehtë të formohet qeveria e re sepse sipas tij, ‘është helmuar shumë atmosfera’ dhe se ka shumë xhelozi dhe inat.

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur në selinë e partisë në orët e vona të së shtunës. Ndërkohë, tri partitë kryesore të ish-opozitës – PDK, LDK dhe AAK – kanë bërë të ditur qartë qëndrimet e tyre kundër votimit ose bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

Nga ana tjetër, Kurti pretendoi së fundi se kishte bërë ofertë bashkëpunimi për kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ku tha se i kishte ofruar një një ministri dhe dy zëvendësministra.

“Me 6 deputetë, Guxo 2 ministra. Unë kam qenë i gatshëm Nismës me ia dhanë me tre deputetë, një ministër, nënkryetarin e Kuvendit, po të ishte bë Albulena Haxhiu kryetare, Limaj ka mujt nënkryetar, se duhet me qenë gjini të ndryshme. E kish marrë një ministri, dhe dy zv/ministra, katër pozita të nalta, me tre deputetë. Maksimumi, ama mu qita se ta kom gjete ditën, faleminderit po...”, tha Kurti.

Por, një gjë e tillë nuk u konfirmua nga Nisma Socialdemokrate. Deputetja Arbëreshë Krasniqi deklaroi për “Kallxo.com” se nuk ka pasur asnjë bisedim të tillë me Albin Kurtin, duke theksuar se ai nuk është përgjigjur në kërkesat zyrtare të partisë.

“Ne kemi një kërkesë që është tanimë e njohur. E vetmja mundësi që NISMA t’i ofroi bashkëpunim LVV-së është që të lëviz nga pozicioni kryetari i Kuvendit”- tha Krasniqi.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse i mandatuari i parë dështon të marrë shumicën e nevojshme në Kuvend, Presidentja – brenda 10 ditësh – propozon një mandatar të dytë, duke ndjekur të njëjtën procedurë. Kandidati mund të vijë nga subjekti tjetër politik që ka shumicën prej 61 votash në Kuvend.

PDK, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër dhe 24 mandate, është shprehur e gatshme të marrë përgjegjësinë e qeverisjes, pa vija të kuqe ndaj partive opozitare – ndonëse një qeveri e opozitës shihet si tejet problematike për shkak të mungesës numrave.

Lajme të ngjashme