Opozitari serb, gazetës austriake: Kosova nuk mund të jetë sërish pjesë e Serbisë
56-vjeçari Dragan Gjillas (Djilas) aktualisht është mes politikanëve më të njohur opozitarë ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Së fundi, ai bëri një intervistë televizive për një gazetë austriake ku foli edhe për Kosovën. Cili është qëndrimi i tij?
Gjillasi është pjesë e bllokut më të madh opozitar në Serbi dhe pjesë e protestave më të mëdha kundër regjimit që prej kohës së Millosheviqit.
Ai foli së fundi për gazetaren Franziska Tschinderle në Profil të Austrisë.
“Është fillimi i qershorit dhe moti shumë i nxehtë në Beograd... Kushdo që e takon për një intervistë, thjesht hyn në zyren e tij, duke kaluar pranë sekretarit i cili s’e bën asnjë pyetje. Gjillasi flet hapur dhe bërtet shumë, për të kërkuar falje më pas.” – thuhet mes rreshtash të artikullit.
Çka tha për Kosovën?
Ai shprehet se Vuçiqi bën i fortë brenda Serbisë por kur vjen puna te negociatat me Kosovën ndryshon.
“Unë nuk jam nga ata që besojnë se Kosova mund të jetë sërish pjesë e Serbisë,” – thotë tutje ai. “Kjo është e pamundur.” Megjithatë, ai përmend një problem tjetër (që në fakt, është problem edhe për shqiptarët e Kosovës) ikjen masive.
“Serbët etnikë që jetojnë në Kosovë po largohen çdo ditë nga Kosova. Çdo krizë dhe çdo incident e forcon këtë proces. Nëse vazhdon kështu, një ditë nuk do të ketë më serbë në Kosovë. 23 vjet pas lufte dhe ne ende flasim për deeskalim. Hajdeni njerëz! Çfarë keni bërë krejt çerekshekullin e fundit!” – shprehet ai.
Sipas z. Gjillas, Vuçiqi kontrollon gjithçka te serbët në Kosovë. “Deri në njëqind për qind.” – thotë.
“... sa herë që vizitoj veriun, nuk kalon shumë kohë që dikush shfaqet dhe dëshiron të më rrahë. Por le të jemi të sinqertë: besoj se shqiptarët dhe serbët mund të bisedojnë me njëri-tjetrin.” – thotë opozitari serb.
Për ta forcuar argumentin e tij se mund të flitet mes serbëve dhe shqiptarëve ai përmend se si vajza e tij ishte mjekuar nga një mjek shqiptar e me të cilin kishin folur serbisht në Londër.
Megjithatë, kur pyetet nëse do ta njihte pavarësinë e Kosovës, ai thotë se nuk do ta bënte.
“Jo, nuk do të gjeni një politikan në Serbi që do ta njihte Kosovën. Dhe gjithsesi askush nuk e kërkon këtë gjë nga ne. Madje, janë pesë shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën.”
Në fakt, njohjen e Kosovës liderëve serbë ua kanë kërkuar vazhdimisht liderët kosovarë por edhe partnerët më të mëdhenj të Kosovës, përfshirë ShBA-të dhe vendet kryesore të BE-së, përveç pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit kur përmendet fatkeqësisht termi “njohje eventuale” nga “njohja reciproke” që e përmendnin më parë.

