Opozita optimiste, Tahiri i LDK-së pret që Kushtetuesja ta rrëzojë Ligjin për Paga
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, pret që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë Ligjin për Pagat, i cili dje është dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit.
Ai ka thënë se vetëm në këtë mënyrë do të vendosej drejtësi për të punësuarit e sektorit publik.
“Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të jap drejtësi, do të rrëzojë këtë ligj dhe do të ruajë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik në atë mënyrë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme për punën që ata e bëjnë dhe po ashtu të mos ketë kaq shumë diskriminime në sektorin publik ashtu siç ka propozuar kjo qeveri. Prandaj, ne presim që Gjykata Kushtetuese ta kthejë prapa është këtë ligj duke vërtetuar edhe njëherë se kjo qeveri vazhdon të jetë një shkelëse serike, përsëriste, recidiviste e Kushtetutës”, ka thënë Tahiri për KP.
Ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti përmes këtij ligji ka dështuar t`i rrisë pagat për sektorin publik.
“Kjo qeveri jo që vetëm dështojë të rrisë pagat në sektorin publik ashtu siç ishte kërkesë e punëtorëve në sektorin publik por edhe bëri padrejtësi të mëdha me Ligjin e pagave duke krijuar një disharmoni dhe duke shkelur të drejtat e punëtorëve në sektorin publik”, është shprehur ai.