Opozita me kritika të reja për Kurtin: Dialogun me Serbinë po e shfrytëzon për vota
Opozita nuk i ka pritur mirë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Zyrtarët e opozitës kanë bërë me dije se kreu i qeverisë po bën lojë me dialogut e Brukselit. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë vlerësuar se kushtëzimet në këtë procesi shefi i qeverisë po i bën për të fituar ndonjë votë.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është shprehur i bindur se kushtet e Kurtit në këtë proces janë jo serioze.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, ai ka vlerësuar se veprimet e shefit të qeverisë në raport me procesin e Brukselit janë populiste.
“Takimi i fundit në Bruksel, kur Kurit nuk takoi Vuçiqin. Atëherë lind pyetja pse je shku në Bruksel dhe ato tri kushte që i ka propozuar apo i ka kërkuar Kurti që të ulet në tavolinë, janë okej. Janë legjitime por ja që pas një jave ulet vartësi i tij. Dhe mendoj që është më tepër diçka që Kurit po e shfrytëzon dialogun për poena elektorale për votë dhe nuk është shumë serioz në kërkesa e tyre.” – ka thënë deputeti i AAK-së.
Lekaj ka theksuar se Kurti me luanë me qytetarët e vendit.
“Sepse asnjë kuptim nuk e ka që pas dy ditëve që të ulet vartësi i tij që është zëvendëskryeministri Bislimi në Bruksel. Meqë janë kërkuar tri kushtet për të dialoguar…i deleguar i kryeministrit për dialog, është zoti Bislimi. Dhe tani shtrohet pyetja a është kjo hajgare e radhës me qytetarët e Kosovës, hajgare sepse nuk është serioz në kërkesat e tij. Nëse ti je kryeministër i një vendi, që me të drejt i ki shtruar kërkesat e tua që janë legjitime dhe pas dy ditësh ulesh në tavolinë, ku është serioziteti, as Bislimi nuk është dashur pa u plotësuar kushtet, përndryshe atëherë ka hyra në mal pa sopat…”, ka shtuar Lekaj.
Edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, mendon njëjtë.
Sipas tij, Kurti procesit e dialogut në Bruksel po e përdor për qëllime të brendshme elektorale.
“Kurti dialogun po e përdor veç për fushatë. Ka dështuar në qeverisje të brendshme, në të gjitha fushat e tani e përdor dialogun për të humbur fokusin e dështimeve te tij”, ka thënë Krasniqi.
Ajo nuk pret progres në këtë proces.
“Nuk presin asgjë nga dialogu, jemi në masa ndëshkuese nga BE-ja, secilin proces të Kosovës në politikë të jashtëm e ka lidhe me dialogun në fakt e ka kushtëzuar, dështuam në Këshillin e Evropës, pikërisht sepse e ka fute Kosovën në kushtëzime të reja, ne jemi anëtarësuar në dhjetëra organizata ndërkombëtare të rëndësishme pa asnjë kushtëzim”, ka thënë Krasniqi për gazetën Blic.
Kurse, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka vlerësuar se procesi i dialogut ka degraduar.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të paaftësisë se kryeministrit Albin Kurti.
“Pa dialog nuk ka avancim të Kosovës në sferën ndërkombëtare, nuk ka as anëtarësim në organizata ndërkombëtare e njohje, nuk ka përkrahje nga aleatët tanë. Prej kur Albini e ka në udhëheqje dialogun ka fundosje e degradim të interesave të Kosovës e ka diskutim të çështjeve të brendshme të shtetit tonë me Serbinë. E sa për Besnikun, ai as nuk matë e as nuk pren në dialog, pra njohuria në tema dhe ndikimin i tij në vendime janë zero”, ka thënë ajo.
Një javë pasi kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të takohet me presidentin serb Aleksander Vuçiq, në Bruksel ka shkruar kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi dhe është takuar me homologun e tij serb për të vazhduar dialogut.
Pavarësisht se ky takim ka zgjatur disa orë, rezultati ka qenë zero.