Opozita kritikon Qeverinë Kurti për reduktimet: E ka lënë Kosovën në terr - NACIONALE

Opozita kritikon Qeverinë Kurti për reduktimet: E ka lënë Kosovën në terr

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në ditët e fundit, Kosova është duke u përballur me mungesë të rrymës, ndërsa në disa vende me ndërprerje të theksuar të energjisë elektrike. Përderisa pushteti ka heshtur në lidhje me këtë temë, opozita ka qenë e zëshme në kritikë për mungesën e energjisë elektrike.

Të tri partitë opozitare, pra PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë fajësuar keqmenaxhimin e qeverisë dhe mungesën e investimeve në sektorin e energjisë për problemet e fundit me reduktimet e rrymës.

Vlora Çitaku, sekretare e PDK-së, e quajti mungesën e rrymës si “dhuratë” nga qeveria”.

Dje në vigjile të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria. E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia. Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës. Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor. Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”. Jo. Kosova mundet ma mirë” – ka shkruar Çitaku.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e quajti Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, si “qeveri të territ”.

“E kundërshtuan gazin amerikan e dolën me bajrak kundër tij;

U përfshinë në tregëti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës;

Kur e morën pushtetin, bojshin hajgare me “bojlera e filtera”

Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i;

E shtrenjtuan rrymën për tri herë e asgjë nuk qiten në dritë;

Këta kurrë asgjë nuk qiten në dritë” – shkroi dje Haradinaj.

Ndërsa Visar Azemi, kandidat i LDK-së për deputet, e vuri theksin te mungesa e investimeve në energji elektrike.

S’ke investu asnjë cent në kapacitet të reja të energjisë elektrike. Prej kur ka ardh ky pushtet jo që nuk ka investu por i ka refuzu të gjitha projektet madhore të sektorit të energjisë.Prej letrës që e ka dërgu te Counter Global,se kur të vij në pushtet do ta anuloj këtë projekt, pastaj projektet që i kanë ble shiritat se asgjë nuk ka ndodh vetëm sa për sy e faqe. E deri te projekti i fundit i centralit me gaz, në bashkëpunim me qeverinë amerikane që e refuzojë në javën e parë si erdhi në pushtet. Kjo është përgjigja të cilët e marrin qytetarët se pse po ndodhin tani këto avari e probleme të sektorit të energjisë” – ka thënë Azemi.

Në T7, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka vlerësuar se e gjithë kjo është si pasojë e keqmenaxhimit.

Ky problem nuk arsyetohet me këtë, por ka të bëjë me keqmenaxhim dhe mosinvestim në rrjet të energjisë elektrike dhe në rifkreskimin e nyjeve kyçe për të mbajtur sistemin dhe me mossigurimin e energjisë elektrike siç është me kontratë…Me ardhjen e kësaj qeverie është rritur importi i rrymës për 5-6 fish. Kurti e ka lënë Kosovën në terr. Ne ia kemi lënë Kosovën me drita, ndërsa ky sot e ka kthyer në terr. Reduktimet janë rikthyer me këtë qeveri. Edhe e ka bo shtrenjtimin e energjisë elektrike” – tha ai.

Lajme të ngjashme