Opozita e shqetësuar për raportet me ShBA-në: Kemi rënë në kurthin e Serbisë
Partitë opozitare janë shprehur të shqetësuara për raportet aktuale të Kosovës me ShBA-në. Për nivelin e ulët të këtyre raporteve, opozita e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës.
Para nisjes për në ShBA, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kanë ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë në raport me kërkesat e aleatëve perëndimorë për targat ilegale.
Sipas tyre, me refuzimin e kërkesave të aleatëve, Qeveria ka rënë në kurthin e Serbisë.
I pari i PDK-së ka thënë se raportet speciale Kosovë - ShBA kanë marrë një goditje të rëndë.
“E konsideroj tepër të rëndësishme këtë vizitë, veçanërisht në kohën që po ndodh. Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket sheshazi që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë Kurti”- ka thënë Krasniqi në një intervistë për “Kosovapress”.
Ai ka bërë me dije se gjatë vizitës se tij në ShBA do të takohet me përfaqësues të Kongresit dhe Senatit dhe se do ta shpreh qëndrimin e PDK-së.
“Unë atje do t’i shpreh qëndrimet e PDK-së sa u përket zhvillimeve aktuale politike në vend dhe rajonin tonë. Por pa dyshim se interesat dhe objektivat kryesore të Kosovës do të jenë si pikë kryesore e diskutimeve që ne do t’i kemi”- është shprehur Krasniqi.
I shqetësuar me këto raporte është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili javën e ardhshme do të udhëtojë për në ShBA.
Ai ka vlerësuar se Serbia ka bërë investim të madh për krijimin e bindjes se Kosova mund të ecë përpara pa aleatë.
“Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje. Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejt”- ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
As në ëndrrat më të mira të Serbisë, sipas tij, nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që ia kanë dhënë dhe lirinë. “Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë. Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhti. Kërkesa për ecje me ShBA-në është akt patriotik”- ka shkruar ai.
Haradinaj propozon rezolutë
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria që të reflektojë karshi kërkesave të ShBA-së.
Në një konferencë për medie, ai sot ka prezantuar një rezolutë, të cilën do ta dërgojë për miratim në Kuvend.
“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet. Serbia ka krijuar skenar të destabilizimit të Kosovës, duke i urdhëruar serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës”- ka thënë Haradinaj.
Në pikën e parë, rezoluta kërkon që Qeveria të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshjen finale për njohje me Serbinë.
“2. Institucionet e Kosovës fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës. 3. Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët relevantë në vend, përfshirë opozitën, si nevojë e daljes nga gjendja e krijuar. 4. Të kërkohet një samit në SHBA, takim disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë - Serbi”, thuhet në tekstin e rezolutës së AAK-së.
Zyrtari i lartë amerikan e ndan zhgënjimin ndaj Kosovës edhe me Serbinë
Një ditë më parë, këshilltari special amerikan, Derek Chollet, ka biseduar në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë bisedë telefonike, Chollet shprehu zhgënjimin me Qeverinë e Kosovës sa i përket vendimit për targa.
Këtë e pranoi vetë ai përmes një shkrimi në rrjetin social "Twitter".
“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit. Diskutuam përkushtimin tonë për të ulur tensionet, për dialogun e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe avancimin në rrugën e euro-integrimit për Serbinë”- thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kurse drejtori i institut KIPRED, Lulzim Peci, ka vlerësuar se me refuzimin e kërkesës së ShBA-së për targat, Qeveria e Kosovës po e dërgon veriun drejt një skenari të përgatitur nga Serbia.
Kjo e fundit, sipas tij, nuk po dëshiron më Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por një status autonom për veriun e Kosovës.
“Lehtësia e refuzimit të kësaj kërkese të ShBA-së nga Qeveria e Kosovës, që tanimë e ka dërguar veriun në zbatimin e një skenari të përgatitur për kohë të gjatë nga Serbia, për mendimin tim, e shpërfaq besimin në një fantazi të ndërtuar nga narrativët e VV-së, që nuk ka fare të bëjë me realitetin e kuptueshmërisë së mbrojtjes së sovranitetit dhe me rëndësinë e partneritetit dhe përkrahjes së superfuqive për vendet e vogla”- ka thënë ai, duke shtuar se qëndrimi i Qeverisë është kundër interesave të vendit.
“Prandaj mendoj se qëndrimi i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk u shërben interesave të vendit. Përkundrazi, i dëmton ato. Serbia e ka bërë këtë veprim, kur ka parë se Kosova është duke e kundërshtuar dhe duke hyrë në një kurs kolizioni të thellë me Uashingtonin, që është njëkohësisht edhe përkrahësi ekzistencial i shtetësisë së saj”- është shprehur ai për gazetën Nacionale.

