Opozita e ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit: A do ta kundërshtojnë PDK, LDK dhe AAK dokumentin? - NACIONALE

Opozita e ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit: A do ta kundërshtojnë PDK, LDK dhe AAK dokumentin?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës se djeshme, edhe opozita e ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Zëdhënësit e tri partive politike opozitare kanë konfirmuar për gazetën Nacionale se BE-ja dje në mënyrë zyrtare ua ka dorëzuar dokumentin në fjalë.

Ata nuk kanë treguar se cili do të jetë qëndrimi i tyre ndaj këtij dokumenti.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka treguar se dokumenti e kanë marrë nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

"Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi", ka thënë Abdullahu për gazetën Nacionale.

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i këtij subjekti politik, Kushtrim Xhemajli, ka thënë për gazetën Nacionale se partia menjëherë draftin e ka shpërndarë të anëtarët e kryesisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pranuar verzionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Të njëjtin i ka shpërndarë gjithë anëtarëve të kryesisë së Aleancës. Është kërkuar nga anëtarët e kryesisë t'i bëjnë komentet e tyre lidhur me draft-statutin dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së Aleancës, të thirrur më datë 7 dhjetor, në ora 17:00”, ka thënë Xhemaili.

Ai ka bërë me dije se AAK-ja do të dalë me qëndrim për këtë dokument pas komenteve të anëtarëve të kryesisë.

“Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”, ka thënë Xhemaili.

Në ditën e njëjtë draftin zyrtar e ka pranua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Po, dje e kemi pranuar draft-statutin”, ka thënë zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi për gazetën Nacionale.

Burimet e gazetës brenda këtyre partive kanë thënë se drafti është pothuajse i njëjti me atë të cilin e ka publikuar Burim Ramadani.

Qeveria e Kosovës draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e kishte pranuar më 21 tetor. Drafti në Prishtinë ishte sjell nga pesëshja diplomatike euro-amerikane më 21 tetor.

Kryeministri Albin Kurti për asnjë moment nuk kishte treguar gatishmëri për ta ndarë dokumentin me opozitën apo opinionin publik.

Kjo kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

I pari i Qeverisë kishte thënë se për shkak të konfidencialitetit të procesit nuk mund ta publikonte draftin.

Për këtë çështje ishte diskutuar edhe në Kuvend e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lajme të ngjashme