Opozita e do 26 janarin për zgjedhje, Osmani ka një datë “të preferuar”, VV s’merret hiç
As nuk morën pjesë, as s’i dërguan qëndrimet e tyre me shkrim.
Kështu tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për Lëvizjen Vetëvendosje kryetari i së cilës qe thirrur në takim për të diskutuar përcaktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në nivel vendi.
LVV kërkoi që në atë takim ta dërgojë nënkryetarin e saj, Glauk Konjufcën – gjë e cila s’u miratua nga Osmani me arsyren se mbledhja qe thirrur në nivel kryetarësh.
Qeveria e dha për media që Kurti ka qenë paraprakisht i caktuar në një mbledhje tjetër qysh tre javë më parë, por Osmani vijoi me demantim duke thënë se “mua më patën thënë që s’është në Kosovë, por ja që qenka”.
Përveç LVV-së, nuk mori pjesë as Elbert Krasniqi, ministër në qeverinë kosovare, i cili sipas Osmanit, “e kishte konfirmuar se do të vinte”; për të mos e llogaritur edhe mospjemarrjen edhe të Listës Serbe.
Partia Demokratike e Kosovës, njoftoi se kanë qenë të mendimin që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve të rregullta, dhe të njëjtin qëndrim e kanë dhënë edhe dy partitë e tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, tha Ramush Haradinaj pas daljes nga takimi.
Krasniqi i PDK-së po ashtu i qëndroi asaj që 26 janari i vitit të ardhshëm të jetë dita e zgjedhjeve ndërsa mungesën e Kurtit e quajti “ofendim ndaj Presidentes”.
“Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje”, tha Memli Krasniqi.
Lumir Abdixhiku i LDK-së po ashtu i qëndroi 26 janarit.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, tha ai.
Osmani megjithatë tha se e ka një datë “të preferuar” të saj, por të cilën nuk e zbuloi
“Sipas Ligjit janë katër data: 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti. Diskutimi ynë ishte në kontekst të këtyre dative. Kishte preference. Disa parti preferuan 26 janarin, ka 3-4 tjera 9 shkurti, 2-3 të tjera 16 shkurtin, dhe të tjerat nuk kishin preference. Ende jemi brenda afatit të konsultimeve, mirëpo nga data 26 korrik e tutje presidentja fiton të drejtën me bë shpalljen e zgjedhjeve. Afatet ekzistojnë meqënëse nga partitë politike, nuk kishte kërkesë për konsultime shtesë. U pajtuam si presidencë ta bëjmë analizën e të gjitha dative, që edhe ta bëjmë publike datën e zgjedhjeve.” – ka thënë ajo.