“Opozita” drejton gishtin nga Avni Dehari: Po i shërben qasjes bllokuese të VV-së, po e shkel skenarin - NACIONALE

“Opozita” drejton gishtin nga Avni Dehari: Po i shërben qasjes bllokuese të VV-së, po e shkel skenarin

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Nga dita kur ka filluar seanca për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është kritikuar për njëanshmëri në proces.

Duket se deputeti i VV-së po harron se “privilegjin” e udhëheqësit të seancës e ka vetëm për shkak të moshës dhe jo si deputet i partisë që ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në dhjetë përpjekjet e dështuara për konstituimin e Kuvendit, Dehari jo rrallë ka anashkaluar skenarin e përgatitur nga sekretaria e Kuvendit, duke e zbatuar skenarin e partisë së tij.

Shkeljet e Deharit janë bërë më flagrante në dy seancat e fundit, ku Dehari po i shërben mënyrës së re të VV-së për të bllokuar Kuvendit, duke insistuar në formimin e një komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në këtë mënyrë, në dy seancat e fundit, Dehari nuk po e hedh fare në votim propozimin e partisë së Kurtit për kryetare të Kuvendit, që është deputetja Albulena Haxhiu.

Kjo ka bërë që partitë tjera dhe shoqëria civile të drejtojnë gishtin nga deputeti Dehari, duke e kritikuar atë se po i shërben partisë së tij.

Pas ndërprerjes së seancës se sotme, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se VV-ja po e keqpërdor një njeri të moshuar për interesa të ngushta partiake.

“Në mungesë të shumicës parlamentare Albin Kurti e VV-ja edhe sot për të dhjetën herë po tentojnë që në forma të paligjshme, jokushtetuese, duke keqpërdorur mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet, edhe sot tentuan që vërtetë të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur. Ja u bëjmë të qartë, qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelur ligjin e as Kushtetutën, na kanë votuar për tu dhënë institucione. As herën e parë, as të dhjetën e as herën e 100 nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar VV-në për shfrytëzim të deputetit Dehari.

“Tash Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar strategji. Në vend se të vendos emrin e Albulena Haxhiut ka bërë një taktikë dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, të cilën tashmë e kemi argumentuar jo vetëm ne, por edhe ekspertët jashtë kuvendit, se është shkelje ligjore dhe kushtetuese ndryshimi i mënyrës se votimit në proces”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se Dehari në atë pozitë është vetëm për shkak të moshës së tij.

“Në nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Na vjen keq sidomos për z. Dehari, i cili si kryesues i seancës nuk përfaqëson VV-në, nuk është aty se partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit. Është aty për shkak të moshës dhe asgjë tjetër. Ai duhet të përcjell skenarin e përgatitur na sekretariati i Kuvendit dhe jo skenarin e VV-së”, ka thënë Bajrami.

Pas veprimeve të sotme, Dehari është kritikuar edhe nga shoqëria civile.

Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se partia e Albin Kurtit bllokimin e Kuvendit po e mban përmes deputetit Avni Dehari, i cili po e kryeson seancën konstituive.

Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë duhet të zbatohet votimi publik.

“Kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë – që është përjashtim procedural – zbatohet votimi publik, si rregull. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë parim, veçanërisht kur kjo vjen nga një kryesues i përkohshëm, nuk është më thjesht devijim procedural. Kjo është tashmë kapje e procesit. Sepse, seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës”, ka shkruar ai, duke ia rikujtuar kompetencat kryesuesit.

“Kryesuesi nuk është as vendimmarrës politik, as negociator, por ka vetëm detyrën ta përmbyllë konstituimin. E drejta e LVV-së për të propozuar është e padiskutueshme, por detyrimi për ta bërë këtë formalisht është po aq obligim kushtetues. Çdo shmangie dhe instrumentalizim i procedurës për të zvarritur procesin është abuzim procedural që cenon funksionimin demokratik të Kuvendit”, ka shkruar Cakolli.

Lajme të ngjashme