Opozita do që të shpërndahen para nga Trusti, LV-ja ngre krye duke kundërshtuar - NACIONALE

Opozita do që të shpërndahen para nga Trusti, LV-ja ngre krye duke kundërshtuar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nuk e ka përkrahur Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i cili parasheh tërheqjen e parave të Trustit.
Deputetët e opozitës ishin pro këtij projektligji, kurse deputetët e LV-së kundër. Projektligji do të shkojë për shqyrtim në seancë plenare pa përkrahje të komisionit.

LDK-ja dhe AAK-ja i kanë dhënë mbështetje iniciativës së deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, për tërheqjen e një pjese nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Deputetët e partive opozitare kanë argumentuar se kriza ekonomike që ka prekur qytetarët e Kosovës e bën të arsyeshme miratimin e kësaj iniciative. Ndryshe nga opozita, deputetët e LV-së e kanë kundërshtuar iniciativën për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Kundërshtimi i pozitës ka bërë që ky projektligji të mos kalojë sot në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Tani ky projektligj do të shkoj për shqyrtim në seancën parlamentare pa përkrahjen e komisionit.

Në fillim të mbledhjes së këtij komisioni, deputeti i PDK-së ka prezantuar iniciativën e tij.

Ai ka thënë se kërkesa për tërheqjen e Trusti ka dalë për shkak të krizës ekonomike në vend.

“Ky ligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit tu krijohet bazë ligjore për tërheqje nga 10 deri 30 për qind të kursimeve të tyre. Personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri më 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shume se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale”, ka thënë ai, duke shtuar se me këtë propozim qytetarët që kanë të ardhura më të ulëta do të mbështetën më shumë.

Iniciativa e tij ka marrë mbështetjen edhe të dy partive tjera opozitare, LDK-së dhe AAK-së.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se mungesa e veprimeve të qeverisë për t'u dalë në krah qytetarëve gjatë krizës, e bën të arsyeshëm ndryshimin e këtij projektligji.

Ai ka treguar se pse më herët ka qenë kundër kësaj iniciative.

“Kur është propozuar kjo para 3-4 muajve nga deputeti Haxhiu, nuk kam qenë ndër mbështetësit e saj. Kam menduar që nëpërmjet veprimeve të Qeverisë nuk do të ketë nevojë për këtë masë, por pas mosveprimeve të Qeverisë u pa që nuk pati kurrfarë masash. Ne patëm propozuar një listë të veprimeve që të mos vihet deri të kjo masë. Kështu që, ne si LDK e mbështesim plotësisht këtë projektligj”, ka thënë Hoti.

Ai ka kritikuar Qeverinë që nuk po ndërmarr masa të nevojshme për t'u përballur me krizën ekonomike.

“Qeveria nuk ka dhënë sqarime të nevojshme se pse nëpërmjet veprimeve të tjera të qeverisë arrihet efekti i njëjtë, cilat janë ato veprime. Ajo nuk ka treguar se pse vetëm ka thënë nuk e mbështet është i mangët. Asnjë cent i buxhetit të Kosovë nuk do të mungojë nga kjo mundësi që u jepet qytetarëve. Jam i pakënaqur me këtë opinion buxhetor dhe me opinionin e qeverisë. Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbështesim një masë të tillë”, ka deklaruar Hoti.

Kurse deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria nuk duhet të bëjë presion mbi deputetët për ta penguar miratimin e këtij projektligji.

“Kam menduar që Qeveria do të na japë këshilla e sugjerime por jo apriori të ndikojë mbi Parlamentin e Kosovës. Dua të ju bëj thirrje qe të shkoni përtej petkut politik përtej subjektit tuaj, ta leni krenarinë dhe inatin anash dhe të fokusohemi bashkërisht tek e mira e përbashkët që është qytetari. Nuk po e them për politikë, por po e them qe e kuptojmë këtë çështje të ndjeshme e dimë që nuk është metoda më e mirë por derisa kemi një krizë ekonomike qeveria është për të zgjidhur çështjet e qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, qeveria duhet të tejkalojë inatet dhe të vendosë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Kundër këtyre qëndrimeve ka dalë deputeti i LV-së, njëherësh kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.

Ai ka thënë se tërheqja e 30 përqindëshit e shkatërron këtë institucion.

“Do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu por edhe në Kuvend, përpjekjen për ta parandalu shkatërrimin e Trustit nuk do ta ndal”, ka deklaruar.

Në fund, deputeti i Listës Serbe, Verica Ceraniq, ka votuar pro, kurse deputetja Duda Balje ka abstenuar.

Lajme të ngjashme