Opozita bëhet gati për zgjedhjet në Kosovë, VV-ja mobilizohet për zgjedhjet në Maqedoni
Partitë opozitare prej muajsh kanë filluar mobilizimin e strukturave partiake për zgjedhjet e reja. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë shtuar aktivitet e tyre në terren. Ato tashmë kanë prezantuar kandidatë për kryeministër, programe politike dhe disa koalicione parazgjedhore.
Këto aktivitete të opozitës nuk u kanë bërë shumë përshtypje partisë në pushtet. Zyrtarët e VV-së duket së më shumë janë të interesuar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, ku po e mbështetin kandidatin Arben Taravari dhe koalicionin VLEN.
Deri me tani VV-ja nuk ka marrë ndonjë veprim, i cili do të nënkuptohej si përgatitje për zgjedhje të reja në Kosovë.
Ndryshe nga VV-ja, PDK-ja tashmë e ka propozuar Bedri Hamzën kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Po ashtu, liderishipi i kësaj partia prej javësh vazhdimisht është në teren në takimin me strukturat partiake.
Një takim i tillë është mbajtur edhe dje në Skenderaj.
“Edhe Skënderaj po frymon me entuziazmin e fitores në ardhje të Partisë Demokratike dhe kryeministrit të ardhshëm, Bedri Hamzës. Kudo ndjehej euforia e organizimit për fitoren e madhe. Kudo jemi mobilizuar për ta kthyer PDK-në si partinë e parë në Kosovë”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri.
Edhe sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, po mban takime të përditshme partiake.
“Pas Vitisë, Podujevës e Kaçanikut, ndalesa e radhës ishte Gjilani. Takim frymëzues me kryesinë e degës tonë në Gjilan. PDK po rritet. Po fuqizohet. Po rikthehet”, ka shkruar para disa ditë Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
As LDK-ja nuk po qëndron duarkryq. Zyrtarët e kësaj partie, përfshirë kryetarin Lumir Abdixhiku, vazhdimisht janë në teren.
Madje, Abdixhiku tash se fundi ka njoftuar se LDK-ja ka formuar 21 departamente.
“Nga fillimi i këtij viti, LDK-ja ka formuar plot 21 departamente, nga një për secilin fushëveprim të programit politik “Rruga e Re”; nga një për secilin dikaster qeverisës të vizionit tonë qeverisës. Këto departamente mbajnë rreth vetes plot 1300 profesionistë të fushës, që sot ndërtojnë programin, nesër bëjnë politikën. Dje mblodha në takimin e parë Departamentin e Mbrojtjes. Mes ushtarakëve të karrierës, profesionistëve të sigurisë, drejtësisë e vet inovacionit ushtarak e teknologjik, biseduam për gjendjen e sigurisë në vend dhe projektet tona në “Rrugën e Re””, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Për këtë vikend, Abdixhiku ka treguar se do të jetë në Gjermani dhe Austri për të takuar mërgatën shqiptare.
Edhe përfaqësuesit e koalicionit AAK-Nisma janë aktiv me aktivitete të ndryshme në krejt Kosovës.
VV-ja e koncentruar te zgjedhjet në Maqedoni
Lëvizja Vetëvendosje prej muajsh është duke u marrë intensivisht me zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut. Pavarësish kritikave të shumta se veprimet e tilla paraqesin ndërhyrje në punët e një vendi tjetër, VV-ja dhe Albin Kurti nuk janë ndalur as pas fillimit të fushatës zgjedhje.
Madje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufa dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në fushatë zgjedhore në Maqedoni edhe ditën që në Kosovë flamujt ishin vendosur në gjysmështizë.
Ndonëse dita e mërkurë ishte shpallur ditë zie nga presidentja Vjosa Osmnai, në nderim të grave të vrara nga burrat e tyre, Konjufca dhe Haxhiu kishin shkuar në Maqedoni për të marrë pjesë në fushatë të koalicionit VLEN.
Një veprim i tillë ishte kritikuar ashpër nga partitë opozitare. Sipas tyre, veprime e tilla ishin të turpshme.
Këtë vikend edhe kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në fushatë të kandidatit të president të Maqedonisë së veriut, Arben Taravari.
Zyrtarët e VV-së e kanë shpërndarë një njoftim ku kryeministri Albin Kurti të shtunën do të jetë pjesë e një tubimit zgjedhor të koalicionit VLEN, i cili do të mbahet në ora 19:00 në Cyrrih të Zvicrës.
Përveç Arben Taravarit, në këtë tubim do të marrin pjesë edhe krerët tjerë të koalicionit VLEN. Derisa me tani, zyra e kryeministrit përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu ka sulmuar kandidatin tjetër të shqiptarëve për president, Bujar Osmani.