OLV-UÇK paralajmëron veprime nëse bllokada vazhdon: Nuk luftuam për bllokada politike - NACIONALE

OLV-UÇK paralajmëron veprime nëse bllokada vazhdon: Nuk luftuam për bllokada politike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Organizata e Veteranëve të Luftës ka paralajmëruar veprime nëse bllokada në Kuvend vazhdon.

Në reagim, thuhet se nuk luftuan për bllokada politike.

Komunikata:

Në emër të idealit të luftës për liri dhe shtetndërtim, në emër të atyre që dhanë gjithçka për ta parë Kosovën të lirë, sovrane dhe demokratike, OVL, SHIL, SHFD të UÇK-së, Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria "Lëvizja" shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me krizën institucionale që po thellohet si pasojë e një ngërçi politik të panevojshëm.

Është e papranueshme që, në kohën kur qytetarët përballen me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe të sigurisë, partitë politike, e në veçanti partia fituese, të mbajnë një qëndrim të ngurtë dhe të pandjeshëm ndaj përgjegjësisë kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe formimin e institucioneve legjitime të vendit.

Ne nuk paragjykojmë asnjë kandidat për pozitat institucionale, por kur interesi shtetëror dhe funksionimi i demokracisë vihet në rrezik për shkak të mungesës së kompromisit dhe kryeneçësisë politike, atëherë ndjejmë për detyrë të ngremë zërin tonë publikisht.

U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, dhe në veçanti partisë fituese, që të tregojnë pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë fund krizës aktuale përmes një zgjidhjeje të qëndrueshme, që respekton frymën dhe shkronjën e Kushtetutës, si dhe vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

UÇK-ja nuk luftoi për bllokada politike. Nuk luftoi për interesa të ngushta dhe për ngërçe që paralizojnë institucionet. Ne luftuam për një Kosovë të lirë, demokratike dhe funksionale, me institucione që i shërbejnë qytetarit, jo logjikës së pushtetit me çdo kusht.

Nëse kriza institucionale vazhdon dhe cenon më tej rendin demokratik dhe stabilitetin e vendit, ne, OVL, SHIL, SHFD të UÇK-së, Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria "Lëvizja" do të ndjejmë për obligim që të ndërmarrim hapa të mëtejshëm publikë, institucionalë dhe qytetarë, për të mbrojtur vlerat për të cilat u sakrifikua shumë dhe për të garantuar funksionimin e shtetit në frymën e Kushtetutës.

Kosova është përgjegjësi e të gjithëve, dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng.

Lajme të ngjashme