Ohh sërish RTK-ja: Mbron votimin e fshehtë në Kuvend, s’ia qëllon as nenit, as referencës, as çështjes
RadioTelevizioni i Kosovës, në Lajmet Qendrore, nga minuta 6;21 deri 6;58 ka publikuar një ‘lajm’ me titull “Nuk ka shkelje të rregullorës’ referuar situatës në Kuvendin e Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje kërkoi votim të fshehtë për t’a zgjedhur Kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
RTK, duke u thirrur në burime brenda ‘sekretariatit’ të Kuvendit të Republikës së Kosovës, anipse organi më i lartë ligjvënës nuk ka referim ligjor për ‘sekretariat’, por Sekretar të Përgjithshëm, e Sekretari, është pjesë e Administratës së Kuvendit – që është referimi ligjor dhe zyrtar që përdoret për pjesën e stafit civil që punon brenda Kuvendit, kanë thënë se s’ka shkelje të rregullores për votimin e fshehtë.
Prezantuesi, thirret në nein 69 pika 4, anipse neni 69 në fakt ka veç tri pika, ndërkohë në grafikë shfaqet neni 61, aty mbase ka dashur të thirret. Por, edhe neni 61 flet për Seancë plenare. Nërkohë në rregullore janë dy nene të tjera që flasin për seancën konstituive, neni 7 dhe ai 12.
Tjetra, ishte vet RadioTelevizioni i Kosovës që thirrej në përgjigjet e organizatave si KDI e pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile në interpretimet ligjore, kur e mbronin teorinë, se Kurti s’është Kryeministër në detyrë, ndërkohë për situatën në Kuvend, televizioni publik ka vendosur të injoroj anëtarë të shoqërisë civile që e thonë të kundërtën.
Shoqëria civile për këtë çështje
Krasniqi: Seanca konstituive dallon nga seancat plenare
Albert Krasniqi nga organizata D+, ka treguar dallimin ndërmjet seancës konstituive dhe seancave plenare. Krasniqi ka thënë se votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat në fakt janë të rregullta, por seanca konstituive është themeluesja e Kuvendiit dhe rregullat s’mund të përcaktohen gjatë zhvillimit të saj.
E plotë:
Votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Seanca konstituive, nga ana tjetër, është seanca e parë, themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj.
Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.
Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë duket tashmë që veçse e ka humbur, ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut.
VV duhet përfundimisht ose të propozojë një kandidat tjetër konsensual nga radhët e veta, ose partitë e tjera duhet të ndërmarrin hapa për të provokuar një vendim për të kërkuar pastaj interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në përputhje me rendin kushtetues.
Miftaraj: Nuk lejohet votimi me votë të fshehtë në këtë fazë
Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi në Kosovë, ka qenë i prerë sa i përket tentimit të VV-së për t’a mbajtur votimin me votë të fshehtë për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. “Nuk lejohet votimi me votë të fshehtë në këtë fazë.” – ka shkruar ai.
Duke vazhduar se, “kjo qasje është arbirtrare dhe nuk do të duhej të ndodhte.”
Eugen Cakolli nga KDI ka sqaruar se tentimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar mënyrën e votimit për seancën konstituive përbënë cenim të sigurisë juridike.
“Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse “është më i lehtë” për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Cakolli tutje ka përmendur faktin se, nëse një çështje e tillë tentohet të mëhet fshehtas, ngriten dyshime se kjo bëhet veç për interesa të ngushta partiake, e jo për interes publik.
E plotë:
Së fundmi, disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.
Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm.
Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse “është më i lehtë” për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe.
Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë. Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit.
Çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë rrjedhës së procedurës përbën shkelje të sigurisë juridike. Në një rend demokratik, rregullat nuk ndërrohen rrugës. Deputetët, partitë – dhe mbi të gjitha qytetarët – duhet ta dinë që në fillim se si merret një vendim. Një proces që nuk është i parashikueshëm, nuk mund të quhet i drejtë.
Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme. Nëse sot mund të ndërrohet forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër mund të ndodhë e njëjta për Qeverinë, apo për secilën çështje tjetër me peshë politike.
Parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre. Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake.
Kryeziu: Koritja e një lideri nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, VV me vetëdije po cenon besimin e publikut
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës.
Kryeziu në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se koritja e një lideri nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, pasi ajo prek edhe integritetin e reputacionin.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje me vetëdije po e cenon besimin që ia ka dhënë publiku.
“Koritja e një lideri apo subjekti politik nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, ajo prek integritetin, reputacionin, besueshmërinë dhe legjitimitetin moral.
Në këtë fazë të zhvillimeve për konstituimin e Kuvendit, Vetëvendosje me vetëdije po e cenon besimin dhe legjitimitetin që ia dha publiku. Të njëjtën rrugë e kanë ndjekur edhe parti e liderë të tjerë më parë, e u ndëshkuan jo nga shkeljet ligjore, por nga qytetarët. Dhe siç po duket, këta nuk kanë mësuar asgjë nga ajo që shoqëria e ka treguar, se në momentin e duhur, vlerësimi bëhet dhe mbi standardet shoqërore, jo vetëm mbi ligjin” – ka shkruar ai.
Kujtojmë se RTK, kishte prodhuar fake-news edhe kur në Lajmet Qëndrore dhanë lajmin se dy portale në Kosovë paguhen nga Serbia, si dhe në një rast tjetër, duke u thirrur në burime, 'zbuluan' një atentat ndaj Kryeministrit Kurti, në Maqedoninë Veriore, por organet e këtij shteti, ministria e linjës e kishte përgënjeshtruar lajmin.