“Ofertuam 4% më lirë”, “Hajde logjikë hajde”: Vendimi i MAShT për blerjen e librave nga prindërit shokon opinionin - NACIONALE

“Ofertuam 4% më lirë”, “Hajde logjikë hajde”: Vendimi i MAShT për blerjen e librave nga prindërit shokon opinionin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një tronditje ndaj vetë mendjes së shëndosh erdhi sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kur Abërie Nagavci njoftoi për heqjen dorë nga praktika tashmë e mirëetabluar dhe tejet funksionale e pajisjes së shkollave dhe nxënësve me libra falas. Synohet që tashmë “paratë t’ua bartin prindërve” dhe që ata t’i blejnë librat për fëmijët e tyre. Njoftoi se kishin dështuar të merren vesh me Shtëpitë Botuese, për çka tha se “çmimet e tyre ishin të panegocueshme”.

Kur praktika ishte që Ministria e Arsimti paguante Shtëpitë Botuese për librat shkollorë dhe tek më pastaj ato barteshin nëpër shkolla, tashmë Nagavci rrotlloi hesapet. Tashmë prindërit do t’i blejnë librat vet, nëpër librari, e ku libraritë natyrshëm i blejnë nga shtëpitë botuese. Sensi? Askund. Për më tepër, edhe më shtrenjtë, duke qenë se po ashtu natyrshëm libraritë i shesin me çmit të tyre, duke llogaritur fitimin e tyre biznesor.

Pas shumë përpjekjeve shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin dhe kanë thënë se çmimet e tyre janë të panegociueshme”, tha Ministrja Arbërie Nagavci.

Një nga shtëpitë më të mëdha botues, Dukagjini, reagoi pas deklarimeve të Nagavcit, në çka lexohet të jetë përgënjeshtrim i kulluar ndaj MAShT-it dhe ministres.

Në fakt, thanë ata, këtë vit kanë ofertuar “për katër përqind më lirë” se sa në vetë vitin 2022, dhe atë “pavarësisht inflacionit”.

Kemi ofertuar më lirë se vitin e kaluar. Shtëpia botuese “Dukagjini” është duke përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë në raport me librat për filloristët. Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022”, kanë shkruar ata në një reagim në Facebook.

Nacionalja ka drejtuar pyetje drejt MAShT-it për të pyetur konkretisht se “pse keni kaluar në rimbursime individuale, që nënkupton se prindërit njëherë duhet t’i kenë vetë paratë e më pas të aplikojnë për rimbursim?”, derisa jemi ende në pritje të një përgjigje.

Për më tepër, çka të lexohet të jetë edhe më paradoksale, është se MAShT kishte refuzuar ofertën e shtëpive botuese si “shumë të shtrenjtë”, afro 9 milionë euro oferët, ndërsa për të gjithë këtë proces “rimbursimi” parashihet të jenë diku 11 milionë euro, e që është vetë 2 milionë euro më shtrenjtë se ofertimi i shtëpive botuese.

Nga SBAShK i kanë reaguar këtij vendimi duke thënë se “Nagavci dhe Qeveria Kurti duhet ta dinë se një numër i madh i familjeve në Kosovë jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe se tekstet shkollore falas për ta kanë qenë ndihmesë e madhe”.

Tani, me shpikjen e re të ministres prindërit duhet të blejnë tekstet, që vetë Nagavci po thotë se kanë çmim të lartë, dhe të presin mëshirën e Hekuran Muratit e Nagvcit se kur do t’ua qesin ato para pasi të kenë aplikuar në të famshëm e Kosova”, kanë thënë nga SBAShK.

Edhe gazetari Lirim Mehmetaj, ka shtruar pyetjen se si ka sens edhe në vetë kuptimin ekonomik kjo. “Tash çmimi bëhet akoma më i lartë, sepse përveç çmimit të librit të shtëpisë botuese, duhet të paguhet edhe fitimi diferencial i librashitësit, sepse ai i blen nga shtëpia botuese dhe shton pak në çmim për fitimin e tij”, ka shkruar Mehmetaj.

Edhe ish-Zëvendës Ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, në kohën e Qeverisë Kurti I, është shprehur tejet i habitur: “Hajde logjikë, hajde!... Blerja e librave me pakicë (nga prindërit) po dilka më lirë se blerja e librave me shumicë (nga shteti)?!

Përveç që çmimi i pakicës (si rregull) del më shtrenjtë se çmimi i shumicës, edhe nën supozimin që ministria e cakton çmimin e pakicës, sërish ka kosto shtesë kur librat blihen nga prindërit”, ka shkruar Thaçi, dhe ka numëruar:

1. Rrjeti i distribuimit e përfshinë shtesë fitimin e vet në çmim (sepse askush nuk punon pa fitim).

2. Qindra-mijëra prindër duhet të harxhojnë kohë e pare për transport (sepse nuk iu vijnë librat as në shtëpi e as në shkollë).

3. Qindra-mijëra transaksione duhet të ekzekutohen nga shteti për rimbursimin e prindërve. Secili transaksion duhet të konfirmohet para se të ekzekutohet. Kjo kërkon shumë resurse njerëzore e teknologjike. Shtesë kësaj, shpresoj të mos ketë edhe "transaction fee", sepse kjo do të rezultonte me qindra-mijëra euro humbje shtesë, ose për shtetin ose për prindërit.

4. Mësimdhënësit do të bombardohen nga prindërit me pyetje, sepse për të njëjtën lëndë dhe klasë mund të ketë disa tekste shkollore të miratuara, e prindërit nuk e dinë cili tekst do të përdoret për fëmijët e tyre. Veç kësaj, një pjesë e madhe e prindërve nuk do t'ua blejnë me kohë tekstet nxënësve. Kjo do të rezultojë me qindra-mijëra orë mësimore të humbura (efektivisht).

Lajme të ngjashme