Nurellari: Jemi të shqetësuar për negociatat e fshehta që Kurti mund të ketë bërë me Vuçiqin
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, në një intervistë për Nacionalen ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me atë që ai e ka quajtur “negociatat e fshehta që Kurti mund të ketë bërë me Vuçiqin”.
Sipas tij, kryeministri Kurti, me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tij, ka shkaktuar dëme sistematike sa i përket marrëdhënies së Kosovës me aleatët perëndimor.
“Padyshim që jemi të shqetësuar për negociatat e fshehta që Kurti mund të ketë bërë me Vuçiqin dhe lëshimet që mund të ketë bërë të cilat mund të kurorëzohen në këtë takim që do të mbahet të hënën në Bruksel. Po ashtu, ne jemi të shqetësuar sepse kemi parë që Kurti, me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tij e ka dëmtuar sistematikisht marrëdhënien e Kosovës me aleatët perëndimor duke përkeqësuar pozicionin tonë negociator dhe duke ia çuar dëm Kosovës një kontekst shumë të favorshëm për të pasur një marrëveshje të leverdisshme. Për ta thënë më qartë, z. Kurti ka pasur rrethana shumë të favorshme qoftë në nivel ndërkombëtar dhe qoftë në nivel të politikës së brendshme, për t'i siguruar Kosovës një marrëveshje finale shumë të mirë.” – ka thënë ai për Nacionalen.